Thuhet se redaktorët janë armiqtë më të mëdhenj të shkrimtarëve. Dhe, kjo, është e kuptueshme. Ata janë “kirurgët letrarë” që mund t’i japin jetë veprës, ose ta varrosin atë përgjithnjë në pluhurin e harresës.

 

Nuk dihet saktësisht, në fakt, nëse ata, thjesht e korrigjojnë apo e rishkruajnë veprën. E njëjta dilemë shoqëron dhe përkthyesit. Këta të fundit enden mes radhëve për të kuptuar psikologjinë e autorit dhe të njësojnë përjetimet me të. Një betejë, thuajse, e humbur!

 

Në fund, i redaktuar apo i përkthyer, lexuesi shfleton librin, i cili, medoemos, mbart gjurmët “e armiqve” të shkrimtarit…

 

Megjithatë, diskursi është krejt tjetër kur flitet për krijimtari në diktaturë. Këtë herë, armiqtë, janë nga ata të vërtetët…

 

Më 3 shkurt 2017, një ditë përpara ndarjes nga jeta, në faqen zyrtare në Facebook të shkrimtarit Dritëro Agolli, postohet nga editori i faqes një dedikim i hershëm që gazetari dhe publicisti Arshin Xhezo ka shoqëruar një dhuratë për Dritëro Agollin.

 

Shënimi mbante datën 22 prill 1992.

 

Gjithçka do të ishte normale sikur në këto radhe të mos përmendej një detaj, i shkruar në kushte konfidencialiteti, mes miqsh, e cila bie ndesh me të vërtetën që i është prezantuar deri më tani opinionit publik shqiptar: Është fjala për redaktimin dhe botimin e parë të librit të I. Kadaresë me titull “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”.

 

Kjo sprovë është publikuar tri herë në Shqipëri. E para pikërisht nga shtëpia botuese “8 Nëntori” më 1991, e cila pasohet nga ribotimet e 2009-ës me titull “Uragani i ndërprerë” dhe 2015-ës me titull “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, nga shtëpia botuese “Onufri”.

 

Në ribotimin e parë të kësaj vepre, në shënimin e vet, autori Ismail Kadare thekson se sprova për Migjenin, e shkruar si parathënie e gjerë për botimin e veprës “Novelat e qytetit të veriut”, në Francë, në fund të viteve tetëdhjetë, është botuar pa lejen dhe dijeninë e tij në Shqipëri. Shkrimtari Kadare shkruan se ““Migjeni” kaloi nëpërmjet një shtëpie botuese që shquhej për dogmatizmin e saj të skajshëm. Kjo ka kushtëzuar ndoshta edhe më fort një pjesë të kufizimeve të këtij teksti, që gjithsesi ishte vështirë të shmangeshin”. Ai ngre si shqetësim datën e botimit dhe censurimin e Fishtës:

 

…sipas marrëveshjes me shtëpinë botuese franceze “Fayard”, proza e përkthyer e Migjenit, bashkë me sprovën e gjerë që e shoqëronte, u dorëzua në fillim të vitit 1989. Pak kohë më pas, libri doli nga shtypi në Paris. Teksti i sprovës nuk u botua në shqip dhe as u paraqit prej autorit në ndonjë shtëpi botuese.

 

Një vit pas ikjes së autorit në Francë, teksti i sprovës, i mbetur në zyrat e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, u botua prej kësaj shtëpie pa kurrfarë leje të autorit, pa asnjë sqarim dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje të tij. Redaktori i botimit, siç e dëshmon botimi, ka qenë Arshin Xhezo, kryeredaktor i gazetës më politike shqiptare “Zëri i popullit”.

 

Data e botimit 1991, pas rënies së komunizmit, për një temë delikate për nga natyra e saj, të shkruar më 1988-1989, siç është shënuar në fund të tekstit, pra në komunizëm, do të krijonte, pa dyshim, jo pak habi midis lexuesve. Thelbi i çështjes lidhej me pyetjen se si ishte e mundur që kjo trajtesë, e botuar pas rënies së komunizmit, nuk kishte as më të voglin sqarim për ato kufizime, një pjesë e të cilave diktoheshin madje dhunshëm prej rendit komunist, siç ishte problemi i klerit katolik dhe sidomos i Gjergj Fishtës… (Kadare, 2009)

 

Në ribotimin e dytë, “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” Kadare e retushon sprovën, duke hequr rreth dyzet radhë nga kjo vepër, ndërsa argumenton se është “e drejta e çdo autori të zgjedhë versionin që i dikton ndërgjegjja e tij”. (Kadare, 2015)

 

Por, përtej ribotimeve dhe retushimeve të Migjenit, shënimi  i Arshin Xhezos, redaktori i parë i këtij libri, që zbulohet në kopjen-dhuratë për Dritëro Agollin e rihap këtë diskutim, duke sjellë një këndvështrim tjetër. Ai na tregon se “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” është botuar në dijeni dhe me lejen e shkrimtarit, njëherësh mikut te tij, Ismail Kadare.

 

Ky është dedikimi i tij për Agollin, në pjesën e brendshme të kopertinës së “Migjenit”:

 

I dashur Dritëro,

 

Ata që të kanë njohur e të kanë dashur, gjithmonë janë tronditur nga drama jote dhe e tyrja. Duke u treguar (përmes librave e poezive të tua) fare lakuriq zemrën dhe mendjen, kanë thënë: Njeriu! (Nuk po them demokrati se kjo fjalë e madhe po konsumohet shumë).

 

Xhahilët e zyrave, përfundimisht, janë tromaksur. Zylot, kur e shihnin se u hiqje brekët, mbërthenin fort pantallonat e holluara gjersa u dhembte gurmazi.

 

Po, ishte si punë e gjethes së fikut.

 

Nuk ka asnjë arsye të mërzitesh, përderisa, për mendimin tim, ti gjithmonë je rrëfyer. Është gjë e madhe të rrëfehesh në krijimtari.

 

Njerëzit këtë e dinë. Më shumë se të tjerët miku yt dhe imi, Ismaili.

 

Prandaj, të dhuroj gjithë zemër këtë libër të tij që ma dha për t’ia botuar e për të qenë redaktor i “Migjenit”.

 

Qofsh i gëzuar,

 

Arshin Xhezo

 

22.04.1992

 

Historia e botimit të kësaj vepre të censuruar, ribotuar e retushuar nga vetë Ismail Kadare bart shumë pikëpyetje.

 

Trajtimi e ritrajtimi që autori i bën herë pas here kësaj çështje, shton edhe disa të tjera…

 

Por, kjo dëshmi e hershme, e shkruar për të qëndruar në raft të librave, por e dalë “pabesisht” në publik, ndoshta, do të ndihmojë lexuesit e studiuesit të hedhin më shumë dritë mbi të vërtetën e “Ardhjes së Migjenit në letësinë shqipe”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *