Protesta të shumta vazhdojnë në Mianmar kundër grushtit ushtarak të shtetit në atë vend. Protestave u janë bashkuar njerëz nga të gjitha sferat e shoqërisë, duke paralizuar ekonominë dhe transportin, pavarësisht shtypjes së dhunshme nga ushtria e cila erdhi në pushtet me dhunë në fillim të muajit.

 

Forcat e sigurisë në Mianmar përdorën plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në qytetin Dawei, ndërsa vazhdon rezistenca popullore ndaj grushtit ushtarak. Mjekët njoftojnë për plagosjen e të paktën gjashtë njerëzve.

 

Pamjet filmike nga grupi mediatik lokal “Dakkhina Insight” trgojnë fillimin e përballjes ndërsa policia përdori gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës për të shpërndarë protestuesit.

 

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar çdo ditë nëpër qytetet kryesore të vendit. Punonjësit e shërbimeve jetike në Mianmar po drejtojnë Lëvizjen e Mosbindjes Civile kundër regjimit ushtarak të vendit.

 

Protestat kundër grushtit të shtetit kanë tërhequr mbështetjen e dhjetëra mijëra njerëzve në mbarë vendin, të cilët po kundërshtojnë juntën ushtarake që rrëzoi nga pushteti dhe arrestoi udhëheqësit civilë të vendit. Lëvizja e Mosbindjes Civile ka bashkuar profesionistë nga fusha të ndryshme të jetës, që nga punonjësit e bankave, mësuesit, inxhinierët, avokatët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

 

Në qytetin Mandalay, murgjit u bashkuan me protestuesit ndërsa vazhdon rezistenca popullore në mbarë vendin kundër grushtit të shtetit. Pavarësisht kërcënimeve për përdorim të forcës vdekjeprurëse, qindra njerëz protestuan kundër juntës ushtarake me kërkesat për lirimin e udhëheqësve civilë të arrestuar.

 

Në qytetin më të madh të vendit, Yangon, policia ndërhyri të shtunën për të shpërndarë protestuesit, ndërsa arrestuan shumë prej tyre. Reagimi i forcave të sigurisë është bërë gjithnjë e më agresiv gjatë ditëve të fundit, ndërsa autoritetet ushtarake përpiqen të shtypin vullnetin e protestuesve në mbarë vendin, të cilët kërkojnë largimin nga pushteti të juntës ushtarake dhe lirimin e udhëheqësve të zgjedhur nga vota popullore./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *