Presidenti Ilir Meta ishte këtë të premte në Frashër të Përmetit, për të vlerësuar dhe  nderuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, tre atdhetarët e mëdhenj të kombit shqiptar, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri.

Kreu i Shtetit vizitoi edhe shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, ku ndodhen një sërë dokumentesh që pasqyrojnë historikun e zonës dhe veprimtarinë e tre rilindasve të shquar.

Në fjalën e tij, Meta nënvizoi se nuk ndodh shpesh që të takosh në historinë e një kombi tre vëllezër që t’i kenë shërbyer çështjes së çlirimit kombëtar të Atdheut të tyre.

“Është një lumturi e veçantë të jem sot me ju në Frashër, në këtë vend të shenjtë për kombin shqiptar, në djepin që përkundi me dije dhe atdhedashuri, Frashërllinjtë e mëdhenj, Abdyl, Naim e Sami, në vendlindjes së tyre që vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare në çdo kohë. Kemi ardhur sot të përulemi përsëri përpara tyre, simboleve më të përkryera të Rilindjes tonë Kombëtare. Rrallë mund të takosh në historinë  një kombi, tre vëllezër, që t’i kenë shërbyer të njëjtit ideal – çështjes së çlirimit kombëtar të Atdheut të tyre, jo vetëm nga zgjedha shekullore e huaj, por edhe nga prapambetja shoqërore, nga dogmatizmi ideologjik dhe nga vargonjtë që e pengonin të ecte drejt përparimit dhe qytetërimit europian. Përulemi sot përpara Abdyl Frashërit – ideologut dhe veprimtarit politik, Naim Frashërit – poetit lirik dhe epik, Sami Frashërit – filozofit, ideologut të kulturës dhe vizionarit të së ardhmes”, tha Meta gjatë fjalës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *