Presidenti Ilir Meta dha alarmin se vendi po shkon drejt një junte. Duke ju referuar raportit të “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri, Meta deklaroi se aty tregohet qartë se në vendin tonë po instalohet një grusht i hekurt.

 

“Konkluzionet e Organizatës “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshket me shpejtësi drejt një junte me “grusht të hekurt”, ku siç thuhet në raport: “sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, legjislativi është shkrirë një me ekzekutivin, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale, dhe qeveria ka anashkaluar çdo proces demokratik”. Alarmuese janë gjithashtu të dhënat e raportit se “krahu ekzekutiv që ishte edhe më parë dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë. Policisë iu dhanë më shumë kompetenca, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha dhe njerëzit janë hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk ka ndodhur më parë.  Paketa antishpifje megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar dhe ka përkeqësim të qasjes tek informacioni dhe transparenca qeveritare.””, u shpreh kreu i shtetit në “Facebook”.

 

Ilir Meta shtoi se gjithë kjo situatë do të marrë fund kur populli të ngrihet kundër tiranisë.

 

 

“Shqiptarët, të cilët kanë njohur izolimin dhe shtypjen e të drejtave njerëzore si askush tjetër, po përgatiten për Referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejta të njeriut, as Familje dhe as Atdhe.”

 

Sipas raportit të “Freedom House” të publikuar pak ditë më parë, pandemia e COVID-19 përkeqësoi gjendjen e demokracisë në të gjithë botën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *