Presidenti i Republikës, Ilir Meta dha një përgjigje për të gjithë ata që e kritikuan për vendimin e tij për të mbështetur dhe dekretuar ndryshimet në Kodin Penal për pandeminë.

Meta u shpreh në rrjetet sociale se kritikët duhet të lexojnë dhe kuptojnë variantin përfundimtar të miratuar nga Parlamenti.

“Sot është një ditë e rëndësishme, Dita Ndërkombëtare e Librit. Por fatkeqësisht ka disa “pseudo-intelektualë” dhe “pseudo-ekspertë”, të cilët jo vetëm kanë harruar të lexojnë libra, por as duan të lexojnë e të kuptojnë vendime të thjeshta, por tepër të rëndësishme për jetën dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në këto momente të vështira pandemie. Sinqerisht u sugjeroj të thellohen dhe të lexojnë variantin final të miratuar nga Kuvendi pas ndryshimeve thelbësore të propozuara publikisht nga Presidenti i Republikës.”

Për krahasim, kreu i shtetit mori modelin danez, duke cituar dy nene. Sipas Metës, me dekretimin e Kodit Penal të ndryshuar, u mbrojt Kushtetuta.

“Me përgjegjshmëri të plotë dhe me koherencën e përhershme jo vetëm e mbrojta Kushtetutën, por edhe zgjidhëm boshllëkun, që kishte Kodi Penal për ata që donin të përdornin pandeminë kundër shëndetit të qytetarëve, duke vendosur për këtë çështje madhore një standard si të Danimarkës. Ah sikur të kishim në çdo fushë standarde të tilla….”

Të mërkurën Ilir Meta dekretoi “live” në një konferencë për mediat ndryshimet në Kodin Penal, duke deklaruar se produkti ishte i darkordësuar dhe reflektonte shqetësimet e shoqërisë civile dhe Avokatit të Popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *