Nga Katedralja Katolike ku dhuroi gjak, Ilir Meta u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë kufizimet e vendosura nga qeveria kundër koronavirusit. Në fjalën e tij për mediat, Meta tha se të gjithë duhet të tregohen të përgjegjshëm sepse në rast të kundërt mund të ketë pasoja fatale.

 

“Thirrja imë është që të gjithë duhet t’i respektojnë kufizimet se janë për të mbrojtur çdo qytetar, dhe çdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale jo vetëm për ata por edhe familjarët. Po e shohim se çfarë po ndodh në Italinë fqinje me një sistem shumë herë më të konsoliduar dhe nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente. Êshtë mjaft e rëndësishme të respektohen udhëzimet e autoriteteve të shëndetit por edhe të gjitha kufizimet që janë vendosur se janë në interes të të gjithëve dhe çdo qytetari. Nuk duhen konsideruar si privim por si mbrojtje e domosdoshme në këto momente kritike.”

 

Ai u pyet nga gazetarët edhe nëse do të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Meta u shpreh se një vendim të tillë do ta marrë në kohën e duhur.

 

“Kjo padyshim që do të ndodhë në kohën e duhur por duhet të kuptojmë që edhe policia edhe ushtria, të gjitha janë në funksion të garantimit të një disipline që i mbron qytetarët nga pakujdesia dhe njëkohësisht është një mundësi për të dhënë ndihmën dhe kontributin në çdo rast të nevojshme që do të paraqitet. Kjo situatë kërkon angazhim të gjithë strukturave shtetërore, jo vetëm të bluzave të bardha duhet bashkëpunim dhe reflektim i të gjithëve dhe solidaritet i të gjithëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *