Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është takuar me ministrin italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Enzo Moavero Milanesi.

 

Presidenti i Shqipërisë këtë takim e ka cilësuar si një shenjë e vëmendjes së madhe që Italia i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Ndër të tjera kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e historike midis dy vendeve, si dhe mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe për integrimin në NATO dhe BE.

 

Meta gjithashtu ka theksuar Marrëdhëniet e Partneritetit Strategjik, ku nënvizoi nevojën e nxitjes dhe institucionalizimit të mëtejshëm të projekteve dypalëshe apo në kuadrin rajonal.

 

Ndërsa, duke iu referuar bashkëpunimit në kuadër të Trojkës së kryesisë së OSBE-së, Itali-Sllovaki-Shqipëri, 2018-2020, ai vlerësoi koordinimin e mirë midis tre vendeve dhe angazhimin serioz për të adresuar sfidat, krizat dhe konfliktet që po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e hapësirës së OSBE-së.

 

Një vëmëndje të veçantë Meta ia kushtoi edhe nevojës së nxitjes së mëtejshme të investitorëve italianë për të qenë sa më të pranishëm në tregun shqiptar, veçanërisht në sektorët strategjikë dhe me impakt zhvillimor të përbashkët.

 

Gjithashtu presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe nënvizoi gjithashtu nevojën e rritjes së pranisë së investitorëve italianë, veçanërisht në sektorët strategjikë, përfshirë edhe energjetikën apo për eksplorimin e burimeve të reja të naftës dhe gazit.

 

Të dy bashkëbiseduesit një vëmendje të veçantë ia kushtuan edhe zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanin Perëndimor dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e çuarjes përpara të arritjeve të deritanishëm dhe jo kthim prapa.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *