Një javë para zgjedhjeve, thirrja që ka presidenti Ilir Meta për qytetarët është që të mos shesin votën.

 

Çdokënd që has një ofertë të tillë, kreu i shtetit e fton ta denoncojë në portalin e Presidencës, ndërsa kërkon pjesëmarrje masive më 25 prill.

 

Ai tha në një konferencë për mediat se nuk duhet harruar që vota shërben edhe për të ndëshkuar.

 

“Çdokush që përpiqet të blejë votën tuaj, ka për qëllim t’ju skallvërojë dhe poshtërojë e t’ju përzërë fëmijët nga vendi. Jam besimplotë se ju qytetarë do të bëni më të mirën për të refuzuar ata që duken, por edhe ata që fshihen pas tyre, e që lëvizin natën. Familja juaj dhe fëmijët tuaj kanë nevojë për siguri, për t’uu ndjerë të përfaqësuar dhe të përfshirë çdo ditë. Këto nuk mund të garantohen nga përfaqësues që arrijnë në Kuvendin e Shqipërisë përmes blerjes dhe frikësimit të qytetarëve. Barazia para ligjit garantohet vetëm nga vota e barabartë. Çdo qytetar duhet të votojë i lirë, për të zgjedhur atë që mendon se është më i miri. E ardhmja jonë e përbashkët për 100 vitet që vijnë nuk mund të blihet me asnjë çmim. E kemi vendosur që e ardhmja jonë është vetëm demokracia, liria jonë e mendimit, e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur dhe llogaridhënia. Asnjë pushtet nuk është më i fortë se vota e lirë dhe referendare. Çdo pushtet buron vetëm prej saj. Me pjesëmarrjen masive në votime, duhet të garantojmë që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Kushdo që do të dalë fitues, të gëzojë legjitimitetin e duhur për të na qeverisur. Ata që kanë qëndruar indiferentë, nuk mund të humbasin këtë mundësi, nuk duhet të harrojnë që vota është edhe një mjet ndëshkimi. Prandaj, të gjithë drejt 25 prillit!”

 

Për Policinë e Shtetit dhe administratën publike, Ilir Meta tha se duhet të distancohen nga politika. Në këto zgjedhje, sipas Metës, gjithë bota do ta marrë vesh se çfarë populli janë shqiptarët.

 

“Të jeni të sigurt që në asnjë mënyrë demokracia nuk bëhet kurban më 25 prill. Ne do t’i tregojmë gjithë botës që jemi një popull shqiponjash dhe jo një popull sorrash.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *