Subscribe

Presidenti Ilir Meta vlerësoi masat e marra nga qeveria për të përballuar situatën e koronavirusit në Shqipëri dhe për të parandaluar përhapjen e tij. Në një lidhje live në emisionin “7 pa 5”, kreu i shtetit tha se masat janë të duhurat dhe mjaft pozitive. Megjithatë, ai kërkoi një angazhim edhe nga ana e qytetarëve që të ndihmojnë në këto kushte duke respektuar vendimet.

 

“Besoj se kjo situatë kërkon angazhimin e çdo qytetari në këtë vend që të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Qeveria ka përgjegjësitë e saja. Të gjitha institucionet publike kanë përgjegjësitë e tyre. Çdo qytetar ka rolin e tij në radhë të parë për të ruajtur dhe për tu kujdesur për shëndetin e tij, të miqve, të familjarëve. Kjo është e vetmja rrugë që na ndihmon ta menaxhojmë këtë situatë. Mendoj se masat kanë qenë pozitive në tërësinë e tyre dhe jam i sigurt se do të përmirësohen gjithnjë e më shumë. Është e domosdoshme që të gjithë qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për të qenë të disiplinuar, për të evituar të gjitha lëvizjet dhe kontaktet e panevojshme dhe të tepërta dhe ta shohin me pozitivtet këtë situatë dhe të mos humbasin qetësinë dhe durimin.”

 

Ilir Meta komentoi edhe planin ekonomik të qeverisë për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët në këto ditë të zymta. Sipas tij, plani i hartuar nga ana e mazhorancës është i njëjtë me atë të vendeve të tjera.

 

“Unë besoj se përpjekjet janë bërë në këtë drejtim dhe tashmë me ndryshimet që janë bërë edhe në buxhetin e shtetit, gjithçka do të jetë e sigurtë dhe e garantuar për sa i takon infrastrukturës së duhur shëndetësore për të përballuar përshkallëzimin e kësaj situate. Aktualisht nuk ka probleme serioze për sa i takon respiratorëve për nevojat momentale. Por duhet të kemi në konsideratë se edhe vende shumë të zhvilluara për shkak se nuk i kushtuan rëndësi që në fillim izolimit të qytetatrëve patën një situatë kaotike. Mendoj që qeveria ka marrë masat e duhura si masa të para për këtë situatë duke realizuar një financim shtesë pa prekur ende shpenzimet, siç kanë vepruar edhe qeveri të tjera duke patur një rritje të moderuar të borxhit apo të deficitit që të investohet në infrastruktureën e shëndetit publik, por edhe për të përballuar disa pasoja në ekonomi.”

 

Intervista e plotë:

 

Prej më shumë sesa dy javësh, qytetarët shqiptarë janë tashmë në izolim. Karantina e ka ndryshuar axhendën e kreut të shtetit?

 

Kjo situatë ka ndryshuar axhendën e çdo qytetari në këtë vend dhe besoj se kjo është e vetmja rrugë. Duke patur një axhendë të re të përbashkët për të gjithë, të arrijmë ta kalojmë sa më lehtë dhe me kosto sa më të pakta këtë sfidë të jashtëzakonshme.

 

Ditën e djeshme për më shuëm se tre orë keni mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ka qenë një takim virtual. Edhe si kreu i një strukture të tillë, a ka ndërmend kreu i shtetit të marrë masa vetë apo menaxhimi do t’i lihet i gjithi në dorë qeverisë?

 

Besoj se kjo situatë kërkon angazhimin e çdo qytetari në këtë vend që të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Qeveria padyshim ka përgjegjësitë e saja kryesore. Të gjitha institucionet dhe autoritetet publike kanë përgjegjësitë e tyre që duhet t’i ushtrojnë me shumë seriozitet dhe disiplinë këto kushte të reja. Çdo qytetar ka rolin e tij, në radhë të parë për të ruajtur dhe për tu kujdesur për shëndetin e tij, të miqve, të familjarëve, të fqëinjve, të të gjithëve. Në këtë drejtim, unë besoj se kjo është e vetmja rrugë që na ndihmon që ne ta menaxhojmë sa më mirë këtë situatë dhe të dalim sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Në këndvështrimin tuaj zoti President, si i konsideroni masat e marra nga qeveria deri tani?

 

Mendoj se masat kanë qenë pozitive në tërësinë e tyre deri tani dhe jam i sigurt se do të përmirësohen gjithnjë e më shumë. Është e domosdoshme që të gjithë qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për të qenë të disiplinuar, për t’i zbatuar të gjitha këshillat që japin autoritetet e shëndetit publik, për të evituar të gjitha lëvizjet dhe kontaktet e panevojshme dhe të tepërta dhe ta shohin me më shumë pozitivtet këtë situatë dhe të mos humbasin qetësinë dhe durimin dhe mbi të gjitha besimin se kjo situatë së shpejti do të tejkalohet.

 

Mendoni se ka gjëra që duhet t’i kishte bërë më mirë deri tani. Për shembull, siç është pajisja me mjete spitalore apo me respiratorë. Ditën e djeshme ka pasur një tjetër kërkesë që i është bërë Kinës, ndërkohë kemi marrë ndihma edhe nga Turqia. Ka pasur një nxitim në fakt për t’i izoluar njerëzit në shtëpi si një masë paraprake për të mos përhapur koronavirusin. Por kur u zbuluan rastet e para në Kinë dhe filloi përhapja, a duhet të ishin marrë masa të tilla për të qenë të pajisur me mjetet bazë?

 

Unë besoj se përpjekjet janë bërë në këtë drejtim dhe tashmë me ndryshimet që janë bërë edhe në buxhetin e shtetit, gjithçka do të jetë e sigurtë dhe e garantuar për sa i takon infrastrukturës së duhur shëndetësore për të përballuar përshkallëzimin e kësaj situate. Aktualisht nuk ka probleme serioze për sa i takon respiratorëve për nevojat momentale apo për javët e ardhshme. Por duhet të kemi në konsideratë se edhe vende shumë të zhvilluara për shkak se nuk i kushtuan rëndësinë e duhur që në fillim izolimit të qytetarëve patën një situatë të pamenaxhueshme dhe të pakontrollueshme nga autoritetet e shëndetit publik. Kështu që është shumë e rëndësishme në këto momente, dhe këtu kërkohet roli i çdoq ytetari për shëndetin e tij, por edhe të gjitha familjes dhe komunitetit e shoqërisë tonë për të respektuar këto masa strikte sepse në kët ëmënurë do të jetë e mundur që situata të menaxhohet, të  mos kemi një mbingarkesë për personelin tonë shëndetësor, i cili prej javësh është në një trysni edhe në një rrezik të jashtëzakonshëm. Të mos harrojmë se edhe në Itali ku standardet edhe të mbrojtjes së personelit janë shumë të larta, dy ndër udhëheqësit e këtij operacioni rezultojnë të infektuar sepse duke qenë gjithmonë në kontakt me këtë virus, rreziku është i jashtëzakonshëm dhe ne mirënjohjen tonë për mjekët, për infermierët, për atë që po bëjnë duhet ta shpreim duke ruajtur veten tonë dhe duke mos ua bërë atyre të pamundur menaxhimin e kësaj situate nga pikëpamja e shëndetit publik.

 

Nga komunikimet e vazhdueshme me përfaqësues të biznesit, i tremben një krize ekonomike që mund të ketë pasoja shumë më të gjata për vendin tonë. Vijmë edhe nga situata pas tërmetit të 26 Nëntorit. Mendoni se janë marrë në konsideratë të gjitha kërkesat e biznesit që mund të minimizojnë efektet që mund të kenë pasoja shumë më të mëdha në territorin shqiptar?

 

Padyshim që situata është provblematike, por nuk besoj se ka vend për një panik. Ne duhet të jemi të përqendruar tek menaxhimi i situatës së shëndetit publik dhe për këtë kërkohet edhe ndihma dhe mirëkuptimi i çdo qytetari, por edhe i çdo sipërmarrësi. Nga kjo do të varet edhe fatura ekonomike, sociale që do të shoqërojë këtë përballje. Prandaj sa më të kujdesshëm të jemi, sa më efiksaë të jemi me masat parandlauese dhe në respektimin e këtyre kufizimeve, aq edhe më e shkurtër do të jetë koha kur ne do të duhet të përjetojmë kufizime të tilla dhe vetë ekonomia një ngadalësim që është i natyrshëm për t’u riktheyr më opas në një fazë tjetër të rritjes ekonomike. Mendoj që qeveria ka marrë masat e duhura si masa të para për këtë situatë duke realizuar një financim shtesë pa prekur ende shpenzimet, siç kanë vepruar edhe qeveri të tjera duke patur një rritje të moderuar të borxhit apo të deficitit që të investohet në fuqizimin e infrastrukturës së shëndetit publik, por edhe për të përballuar disa pasoja ekonomike, sociale në ndihmë të biznesit të vogël dhe të shtresave më të prekura të popullsisë.

 

Për të qenë më konkretë, kam informacione nga përfaqësues të biznesit që kanë filluar të mendojnë reduktime në mënyrë drastike të stafeve të tyre sepse për shkak të mbylljes totale të biznesit e kanë të pamundur të t’i mbajnë edhe me pagesa. Që do të sillte një kosto shumë të madhe, shumë njerëz pa punë dhe nuk do të kishin mundësi as të ushqeheshin.

 

Patjetër, por unë besoj që po punohet edhe në këtë drejtim pasi kuptohet që në varësi me përshkallëzimin dhe përballimin e situatës për sa i takon shëndetit publik, janë disa skenarë. Do të ketë edhe disa plane respektive në varësi me to për përballimin e pasojave ekonomike, financiare apo të lehtësimit për biznesin, për të gjithë qytetarët që mund të rezultojnë më të prekurit  nga pikëpamja sociale. Unë jam i bindur që qeveria do të realizojë një dialog konstruktiv jo vetëm me grupet e biznesit, por edhe me grupet e interesit. Por nuk mendoj se ka vend për panik, pavarësisht se jemi në një krizë dhe aftësia e shtetit, e qeverisë, e të gjithëve është që të menaxhojë në mënyrën më të drejtë dhe më të ndershme. Që do të thotë që kjo krizë të mos dëmtojë më shumë apo në mënyrë dramatike shtresat më në nevojë të popullsisë, të cilave duhet t’u jemi sa më pranë në këto momente.

 

Pak ditë më parë Shqipëria mori një përgjigje pozitive për sa i përket çeljes së negociatave, por binte në sy shtimi i kushteve nga nëntë në 15. Është ky një lajm pozitiv apo negativ?

 

Është një lajm pozitiv që BE adoptoi një qasje konstruktive. Por ashtu sikurse kjo ka pozitivitetin e saj si qasje pasi i jep dritën jeshile mundësisë së hapjes së negociatave, njëkohësisht duhet të kemi parasysh që me adaptimin e kësaj qasjeje të re, si rezultat i instistimit të Francës procesi mundet jo vetëm të mos ecë përpara, por edhe të mos mbetet në vend. Por edhe të ketë kthim mbrapa nëse nuk përmbushen angazhimet. Në këtë drejtim duke vlerësuar se integrimi evorpian është një interes kombëtar, i të gjithë qytetarëve shqiptarë, i të gjitha forcave politike, të ketë një bashkëpunim sa më të shpejtë për përmbushjen e të gijtha këtyre detyrimeve dhe Shqipëria të mos humbë më kohë dhe të ecë më shpejt në këtë proces.

 

Tjetër axhendë duket sikur kishte kreu i shtetit para 8 marsit kur u shënuan rastet e para me COVID-19 në Shqipëri. A do të ndryshojë axhenda e kreut të shtetit. Do t’u qëndroni sërish të njëjtave akuza që keni bërë edhe përpara 8 marsit, për të cilat thërritët edhe qytetarët shqiptarë në manifestim?

 

Axhenda e parë dhe e fundit e një presidenti është mbrojtja dhe respektimi i Kushtetutës në të gjitha kushtet dhe në të gjitha rrethanat. Kjo është një axhendë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë deri në ditën e fundit të prsidentit në zyrën e këtij institucioni. Kjo është e padiskutueshme. Unë shpresoj që të gjithë të kuptojnë që vetëm respektimi i Kushtetutës na ndihmon për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për t’u ofruar siguri dhe mbrojtje qytetarëve tanë. Kushtetuta jonë është një Kushtetutë e mrekullueshme kur respektohet siç duhet dhe e ka të parashikuar edhe mbrojtjen e qytetarëve dhe të shtetit dhe në soityuata të tilla të jashtëzakonshme në të cilat ne ndodhemi. Është e rëndësishme të ruajmë ligjshmërinë e të gjitha veprimeve të administrimit të kësaj krize dhe të kësaj situate të jashtëzakonshme. Kjo do të na ndihmojë për të përfshirë të gjithë qytetarët në këtë aksion mbarë-kombëtar për të tejkaluar këtë krizë.

 

Dje pas një diskutimi shumë gjatë qeveria e Albin Kurtit ka rënë me më shumë vota sesa mori edhe për t’u zgjedhur aty. Si e shikoni një qëndrim të tillë, një kolaps të tillë në skenën politike të Kosovës në një moment që të gjithë qytetarët kërkojnë marrjen e masave dhe bashkim për të përballuar situatën e koronavirusit?

 

Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në çështjet e brendshme të Kosovës sepse ajo ka udhëheqësit e saj, institucionet e saj, dhe Kushtetutën e saj. Për të gjithë ne mbetet e rëndësishme që të respektohet Kushtetua e Kosovës dhe vullneti i qytetarëve të saj. Kjo është mjaft shqetësuese jo vetëm për shqiptarët ne Shqipëri, por për të gjithë shqiptarët kudo. Unë dje kam patur një bisedë me kryetarin e komunës së Tuzit, ku rezultonin dje mbi 20 të infektuar dhe sot mora prapë një lajm që po kaq që kanë rezultuar edhe gjatë ditës së sotme. Gjithashtu në Kosovë kemi vënë re se kjo situatë e cila dukej sikur ishte totalisht  pastër para 10 ditësh, ka marrë ritme mjaft shqetësuese. Përballimi i kësaj situate, e kësaj pandemie duhet të jetë prioritet numër një për të gjithë udhëheqësit e Kosovës dhe të mendojnë si të japin një zgjidhje pro-Kosovë dhe jo thjesht një reagim anti-Kurti apo ku e di unë.”

 

Për ta mbyllur, një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë. Edhe pse nëse lexoni veshjen tuaj ditën e sotme, këmisha në ngjyrë të gjelbër është ndoshta si një ngjyrë shprese në një moment të tillë ku le ta pranojmë që ka një situatë ankthi dhe pasigurie tek qytetarët.

 

Ankthi tek qytetarët është normal për arsye sepse edhe në jetën e zakonshme qytetarët kanë përditë vështirësi, kanë përditë pengesa. Në situatën aktuale, këto janë shumë herë më të mëdha sepse janë prishur planet e përditshme të gjithsecilit. Megjithatë duhet të kuptojmë që kjo është një situatë globale, nuk është vetëm një situatë shqiptare. Për fat të mirë deri tani, tek ne, kjo situatë deri tani është mbajtur nën kontroll, ndërkohë që shohim vende shumë herë më të zhvilluara se ne, si Italia apo Spanja, ku kjo situatë ka dalë jashtë kontrollit. Patjetër që ka situata më të mira, por ka edhe situata shumë më të vështira dhe më tragjike. Prandaj le ta shikojmë pak më ndryshe, si një provë për durimin, për përgjegjshmërinë e secilit prej nesh dhe këto ditë t’u kthehemi më shumë familjeve tona pasi kemi nevojë më shumë të rrimë me to. Të mos harrojmë edhe një shprehje të bukur që mua më pëlqen shumë që shpesh ne rrimë më pak me ata që duam më shumë. Ata që duam më shumë janë njerëzit e familjes. Le ta shfrytëzojmë këtë kohë, gjithmonë duke respektuar edhe distancat sociale, për të ndejtur më shumë me njerëzit tanë të afërm dhe në këtë mënyrë do t’i rikthehemi normalitetit në një kohë më të shpejtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *