Subscribe

Gati një javë pas publikimit të databazës me të dhënat personale të qytetarëve, presidenti Ilir Meta i ka drejtuar një listë me pyetje Edi Ramës, duke kërkuar informacion lidhur me informacionet e grumbulluara për 910 mijë banorë të Qarkut të Tiranës. Pas pyetjeve, kreu i shtetit i bëri sërish apel organit të akuzës.


“I kërkoj prokurorisë të nisë urgjentisht verifikimet duke nisur nga kryeministri në detyrë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Informacionit.”

 

Nëse deri më tani kreu i shtetit ishte i rezervuar të jepte një parashikim mbi rezultatin e zgjedhjeve, sot duke i cilësuar sondazhet si të blera nga Edi Rama, ai zbuloi dhe numrin e mandateve që merr opozita, por kishte dhe një paralajmërim për ta.


“Opozita ka mbi 90 mandate. Po të dojë opozita të shesë mandatet e saj, le t’i shesë, por nuk do ta lejojë Ilir Meta as këtë gjë. Do t’i drejtohem të gjithë popullit opozitar.”

 

Dhe duket se frika e Ilir Metës është tek opozita, ku i dërgoi një mesazh komisionerëve të opozitës në Vlorë.


“Do të verifikoj të gjithë komisionet e opozitës të paktën, se ata kanë për detyrë të japin jetën për të mbrojtur votën e vlonjatëve dhe besoj se e kuptojnë të gjithë se çfarë dua të them me këtë gjë.”

 

Por sërish në fokus të kreut të shtetit ishte opozita, kur paralajmëroi konferenca të shpeshta për shtyp.


“Do të ketë fakte si janë marrë peng biznesmenët, si janë marrë peng njerëz të caktuar të drejtësisë, por edhe se si merren peng edhe njerëz të caktuar të opozitës për të bërë gjasme opozitë. Të gjithë, por Shqipëria nuk ka më pengmarrje për Shqipërinë.”

Meta u ndal dhe tek deklarata e një dite më parë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.


“Mbrëmë u zbulua kush është patronazhisti i kryeministrit tonë. Unë jua kisha thënë me kohë, por ju nuk donit ta besonit, se është çmendur Ilir Meta që shikon armiq kudo. Ky vend ka pasur dhe do ketë armiq kurdoherë.”

Ilir Meta refuzoi thërritjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me argumentin se vetëm dy institucione janë të pakapura në Shqipëri, Presidenca dhe populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *