Subscribe

Presidenti i Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, u prit me nderime të larta shtetërore nga homologu malazes Milo Gjukanoviç.

 

Të dy delegacionet zhvilluan bisedime zyrtare ndërsa më pas Presidenti Meta dhe Presidenti Gjukanoviç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Meta u shpreh se Mali i Zi, prej mëse dy dekadash është një faktor i fuqishëm i stabilitetit të rajonit tonë dhe njëkohësisht i forcimit të perspektivës europiane dhe euro-atlantike të tij.

 

Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se pavarësisht nga fakti që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shembullore, Shqipëria dhe Mali i Zi janë ende nën potencialin real të këtij bashkëpunimi.

 

Autostrada Adriatiko-Joniane, po kështu projekti mjaft i rëndësishëm për lidhjen edhe të Malit të Zi përmes gazsjellësit që është duke përfunduar, pra të TAP-it, janë dy projekte madhore të cila së bashku me ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës dhe zonave rreth tij, të ujërave të tjera të përbashkëta, të Pikave të Kalimit Kufitar, ndërtimi i korridoreve rrugore, që i lidhin ato dhe shumë projekte të tjera ndërkufitare, si në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në kuadër të integrimit europian, do të sjellin një mundësi të shkëlqyer për t’u dhënë zgjidhje pengesave, që ende hasin qytetarët në të dy anët e kufirit, si në jetën e tyre të përditshme, ashtu edhe në planin e shkëmbimeve të natyrshme njerëzore, kulturore, tregtare, ekonomike apo për të zgjidhur edhe problemet mjedisore, që janë aq të rëndësishme për dy vendet tona që kanë një potencial të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm e sidomos për zhvillimin e turizmit.

 

 

Meta shtoi se një temë mjaft e rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve ka të bëjë edhe ajo me integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë.

 

Ai vlerësoi mirëkuptim dhe angazhim e Presidentit Gjukanovic për një përkujdesje edhe më të madhe ndaj të drejtave të shqiptarëve, për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, traditave dhe identitetit të tyre, për përfaqësimin më përfshirës në nivel qendror dhe lokal, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonave ku ata jetojnë, për mbështetjen e një integrimi më të mirë të tyre këtu në Malin e Zi.

 

Meta përgëzoi  presidentin Gjukanoviç për përparimin e shkëlqyer të Malit të Zi në procesin e negociatave me BE-në dhe njëkohësisht për rolin mjaft pozitiv që luan si vend i ri anëtar i NATO-s dhe për të gjithë përkrahjen e axhendës së integrimeve në rajonin tonë.

 

 

Njëkohësisht ky është një vit i rëndësishëm për rajonin tonë edhe në drejtim të pritshmërive për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Dhe me këtë rast dua të theksoj rëndësinë që ky dialog me rezultatet e tij finale të forcojë dhe konsolidojë bashkëjetesën, jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në Serbi, por bashkëjetesën në të gjithë rajonin tonë e sidomos të forcojë proceset integruese në të gjithë Ballkanin Perëndimor si e vetmja rrugë që ky rajon të ecë më me shpejtësi në rrugën e prosperitetit për të gjithë qytetarët tanë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *