Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Dekani i Kolegjit Dr. Stephen Mariano, theksoi se Kolegji i Mbrojtjes së NATO-s, në Romë gjatë 68 viteve, ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimit e mendimit dhe leadership-it strategjik, për çështjet e politikave të sigurisë të vendeve të NATO-s, dhe jo vetëm.

Gjatë fjalës së tij në auditorin e Kolegjit, përpara një audience me ekspertë të shquar të mbrojtjes, të sigurisë dhe përfaqësues ushtarëkë të vendeve anëtare të NATO-s në Romë, Meta nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej.

 

Presidenti Meta në fjalën e tij theksoi se:

“Shqipëria është një partner i besueshëm i NATO-s dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit.Shqipëria garanton përmbushjen e përgjegjësive të saj, angazhimin dhe përkushtimin e solidaritetin në dobi të “mbrojtjes dhe sigurisë kolektive” të çdo anëtari të NATO-s dhe të interesave strategjike të Aleancës”.

 

Kreu i shtetit shtoi se Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *