Kryetari i LSI, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes Rinore për Integrim të Vlorës. Në fjalën e tij gjatë takimit, Meta tha se LSI është në radhë të parë parti e të rinjve e të rejave të familjeve më të thjeshta të shoqërisë sonë dhe se LSI është shtylla kryesore e stabilitetit politik në vend.

 

“LSI është në radhë të parë parti e të rinjve dhe të rejave, është vërtetë një shans për të gjithë. Mbështetja për LSI-në rritet, sepse të gjithë e shohin që LSI-ja është shtylla kryesore e stabilitetit politik në vend, është një shtyllë kryesore e paqes sociale, e dialogut dhe e bashkëpunimit. Ne nuk jemi një forcë oportuniste, që një herë i bëjmë qejfin njërit e një herë tjetrit”, – deklaroi Meta, ndërsa u zotua se LSI-ja do t’i japë mbështetje të rinjve në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri e jo jashtë.

 

“Për ne, të rinjtë nuk janë një fasadë, për ne të rinjtë janë e sotmja dhe e ardhmja e Vlorës dhe e gjithë Shqipërisë. Ne duam t’i japim një shtysë të fuqishme angazhimit tuaj dhe gjithë të rinjve protagonizmit tuaj në mënyrë që askush prej jush të mos e shikojë të ardhmen jashtë Vlorës dhe jashtë Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i LSI-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *