Subscribe

Teksa sot u betua anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, Përparim Kalo, presidenti Ilir Meta tha se është me mjaft rëndësi që ky organ të funksionojë i pavarur nga politika. Në një prononcim për mediat nga Elbasani, Ilir Meta theksoi se Kushtetuesja duhet të mbrojë demokracinë dhe interesat kombëtare.

 

“Mendoj që Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë për të mos mbetur pa Gjykatë Kushtetuese funskinale. Por ka ende punë për ta bërë plotësisht funksionale. Për presidentin, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbeësore dhe unë uroj dhe shpresoj që të gjithë të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar. Do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni.”

 

Duke ju referuar përplasjes që pati me ish-kreun e KED, Ardian Dvorani, Meta akuzoi edhe një herë tjetër se mazhoranca tentoi të kapë Gjykatën Kushtetuese.

 

“Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit përsa i takon kushtetuteshmërisë së procesit. Ky process ka patur problemet e tij nga pikëpamja e ligjit. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza apo përplasja mes presidentit në të kaluarën dhe me parlamentin dhe me ish-kreun e KED është e pavend sepse në atë rast pati përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë mafioze një anëtar të gjykatës mazhoranca për llogari të sajën. Komisioni i Venecias ka folur tepër qartë për këtë incident.”

 

Kreu i shtetit mori si shembull edhe Gjykatën Kushtetuese në Kosovë që rrëzoi qeverinë “Hoti”, kur theksoi se ky organ duhet të jetë i pavarur nga politika.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *