Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Gjermani, Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën Vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane në Berlin, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse si i Ftuar Nderi.

 

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij, vlerësoi parneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

 

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen financiare dhe teknike të Gjermanisë, për më shumë se 30 vite, në fushat më jetike të ekonomisë tonë si: energjetika, infrastruktura, bujqësia, turizmi, shëndetësia, SME-të dhe arsimi professional etj.

 

“Ftesa ime e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë është që t’ju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por edhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale në sektorin e turizmit. Gjermania është promotorja kryesore në Europë e ‘ekonomisë së gjelbër’ dhe energjisë së rinovueshme. Në këtë kontekst, është një oportunitet i artë që investitorët gjermanë të eksplorojnë dhe të investojnë në tregun energjetik shqiptar dhe atë rajonal sepse qeveritë e Ballkanit, me ndihmën edhe të donatorëve të huaj siç është dhe ‘KfW’, po financojnë projekte të përbashkëta në linjat e transmetimit dhe në sistemin e shpërndarjes, sikurse po synohet krijimi i një ‘burse energjetike rajonale’ në mënyrë që edhe kapacitetet e reja prodhuese të penetrojnë në tregun europian.” – tha ndër të tjera, Presidenti Meta.

 

Në përfundim, Presidenti Meta nënvizoi se bota po përjeton epokën e globalizimin 4.0, ku ekonomia dixhitale dhe teknologjia e informacionit janë bazat e modelit të ri të zhvillimit ekonomik dhe ku Shqipëria ka shumë për të mësuar edhe nga eksperienca gjermane. Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e prezencës së kompanive gjermane në Shqipëri dhe në rajon në forcimin e prespektivës europiane të vendeve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *