Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar menjëherë pasi presidenti Ilir Meta dorëzoi një kallëzim penal në zyrën e sekretarisë të SPAK ndaj saj dhe zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie.

 

Përmes një postimi në “Twitter”, Gjonaj shprehet se do të respektojë Kushtetutën dhe reagimi i saj do të jetë institucional kundrejt akteve të tij. Ajo siguron se është gati t’i përgjigjet jo vetëm SPAK-ut ligjërisht, por edhe atij vetë publikisht.

 

“Sikur të mos i mjaftonte politika e dëshpëruar e dhunës verbale, sot Kreu i Shtetit ka gjetur kohën të paraqitet personalisht me të gjithë stafin e tij në zyrën e sekretarisë të SPAK, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj meje dhe stafit tim. Në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim zyrtar me Presidentin, reagimi im do jetë institucional kundrejt akteve të tij. E siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë.”

 

Mes të tjerash, Gjonaj tha se me kallëzimet në SPAK, Meta tregon se po njeh institucionet e reja të drejtësisë.

 

“Pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe të njohur për SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *