Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekoruar me titullin “Naim Frashëri” dy personalitete të shquara kineze, dy albanologë, Profesorin Zheng Enbo dhe gazetarin Ëang Hongqi

 

Në ceremoninë e zhvilluar në institucionin e Kreut të Shtetit, Hongqi është vlerësuar me titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shumanshme në fushën e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë; njohës i shquar i çështjes shqiptare përgjatë zhvillimit të saj, duke shërbyer si urë për komunikimin e vlerave të dy popujve tek njëri-tjetri. Publicist, përkthyes, autor librash me karakter shqyrtimi për ngjarje e personalitete të botës shqiptare”.

 

Ndërsa Zheng Enbo me motivacionin: “Në vlerësim për veprimtarinë si albanolog kinez për më shumë se gjysmë shekulli, me përkushtim të përhershëm ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar; promovues i letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare; profesor, studiues, publicist në dobi të pasqyrimit të Shqipërisë në Kinë e në botë”.

 

“Këto dekorime marrin një vlerë më të madhe, sepse bëhen në kuadër të 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, marrëdhënie që kanë qenë tradicionalisht të forta. Jam i bindur që aktivitete si nderimi reciprok i figurave më të spikatura me kontribute të shënuara në bashkëpunimin shqiptaro-kinez do të vazhdojnë të ruajnë dhe thellojnë më tej marrëdhëniet tona miqësore tradicionale midis dy vendeve dhe popujve tanë, do të nxisin shkëmbimet ndërshtetërore, ekonomike, kulturore e njerëzore mes dy popujve, duke ju shërbyer interesave të përbashkëta të dy vendeve tona. Kontributi i dy personaliteteve të shquara kineze që nderojmë sot, në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe dy popujve tanë është shumë i madh.”

 

Gjithashtu në fjalën e tij Meta është shprehur se uron që studiuesit edhe për shumë vite të tjera të japin kontributin e tyre të shquar në njohjen e popullit shqiptar dhe historisë së tij në Kinë, veçanërisht në brezat e rinj kinezë, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *