Presidenti Ilir Meta vuri alarmin për lirinë e medias në Shqipëri. Duke cituar një raport të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, Meta tha se liria e mediave në vendin tonë është përkeqësuar.

“Faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me qeverinë, që po konstatohen çdo ditë dhe po denoncohen periodikisht nga organizata prestigjoze ndërkombëtare, janë tepër alarmuese dhe kërkojnë një përgjigje të menjëhershme. Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian, vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit. Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale.”

Meta shtoi se Shqipëria po shënon hapa pas përsa i përket lirisë së medias dhe transparencës dhe u shpreh i shqetësuar për këtë konstatim.

“Ky regres është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm! Për shkak se liria e shprehjes dhe informimit është kusht thelbësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, dhe duke dënuar me forcë censurën, presionet, shantazhet dhe masat shproprocionale ndëshkuese ndaj gazetarëve dhe medias së pavarur e kritike me qeverinë, apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste që na kthejnë dekada pas në kohët më të errëta, me pasoja tepër të rënda për të ardhmen europiane të vendit.”

Kreu i shtetit inkurajoi gazetarët të vijojnë pa u trembur misionin e tyre. Ndërsa paralajmëroi se askush nuk mund të rikthejë neni 55 të “Agjitacionit dhe Propagandës”, pavarësisht shantazhit dhe presionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *