Ish-deputeti demokrat, Luçiani Boçi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Babrru, ku një 15-vjeçares u abuzua seksualisht nga roja i shkollës dhe bashkëmoshatarët e saj.
Përmes një postimi në “Facebook”, Boçi tha se dhuna e përdhunimi janë bërë tashmë një refren i arsimit tone, e për këtë, ai bën fajtor kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, për të cilët tha se e kanë degraduar deri në qelizë edukimin e arsimin.
“Përdhunimi i nxënëses dhe “përdhunimi” i mësuesit. Ngjarja shokuese e përdhunimit të një nxënëse 15-vjeçare nga roja i shkollës dhe bashkëmoshatarë të saj, ka tronditur mbarë opinionin. Rasti ndjek ngjarjet e tjera të Kavajës, të Fierit, të Tiranës dhe rënia e edukimit e dështimi i insitucioneve është ulëritës. Dhuna, përdhunimi, janë bërë tashmë një refren i arsimit tonë. Dhe akama më ulëritëse janë bërë deklaratat e zinxhirit përgjegjës pushtetar për ngjarjen. Rama flet me gjestet banale për mbrojtjen e së pambrojtshmes, duke marrë në mbrojtje dhunues me uniformë e pa uniformë dhe akoma më shumë me heshtjen e tij për rastin konkret. Madje as i intereson fare. Ministrja e tij profane, bën analiza fluturake socio-filozofike, duke shmangur përgjegjësinë direkte të saj. Jo që është ajo që bashkë me paraardhësen e bashkë me Ramën, të cilët kanë degraduar deri në qelizë edukimin e arsimin! Kanë zhbjerrë vlerat, kanë instaluar të keqen e të shëmtuarën në shkollat tona, kanë rrëzuar përmbys mësuesin e kanë përdhosur misionin e tij.”
Për Boçin, shërbimi psiko-social është inekzistent, ndërsa insitucionet komunitare që merren me edukimin në bashkëpunim me prindërit në shkollë nuk funksionojnë.
Po ashtu, ai ka komentuar edhe deklaratën e Mimi Kodhelit, e cila tha se mësueset e kanë mendjen të lyhen e të rregullojnë flokët, jo tek ditari dhe nxënësi.
“Siguri nuk ka, sikurse nuk ka rregull e disiplinë qytetare. E nuk mbaron këtu “përdhunimi” i arsimit! Këto ditë duhet të dëgjosh e të durosh dhe shpikjet e deputeteve socialiste që përpiqen ta vërtisin fajin diku larg tyre, larg politikave të dështuara të Rilindjes e përgjegjësive të qeverisë për shkatërrimin e sistemit arsimor. Për Vasilikën fajin e kishte “policia komunitare” që nuk lexon parrullat dhe ndoshta tek e fundit nuk di as të lexojë, se mbushja me dallkaukë e institucioneve bëhet me urdhër politik të saj dhe qeveritarëve “modernë”. Ndërsa për Mimin, fajin e kishin plotësisht mësueset. Pra këta mësuesit e dhunuar sistematikisht nga kjo qeverisje. Ish ministrja e mbrojtjes me siguri i ngatërroi me ushtaraket. Mësuesi ka faj tha Mimi, se lyhet, zhgërryhet, rregullon flokët e kuron paraqitjen, sepse nuk e ka mendjen tek ditari dhe nxënësi. Për Mimin mësueset duhet të ishin me muskuj, beqare të lashta, të veshura keq, sa më të egra, të shëmtuara e të zbatonin vijën përdhunuese të partisë, përndryshe ishin kot. Madje Mimi, në nostalgji e sipër për kohët “e arta” të diktaturës, na sqaroi se para 50 vitesh kërciste telefoni nëse mungoje, a thua ti se kishin njerëzit telefona atëhere. Ndoshta e di që kishte celularë nga këto “smart” me të cilët ofrohet mësimi online i Shahinit. Një përdhunim e linçim të tillë për figurën e mësuesit, nuk e kisha dëgjuar. Një urrejtje të tillë, për “ata” që rrezikojnë kështu pushtetin e Ramës dhe Mimit nuk e kisha parë kaq bruto.”