Klarinetisti Erdenaj Sali dhe grupi “Future Steps” janë dy finalistët e zgjedhur në mbrëmjen e parë gjysmëfinale të Albania’s Got Talent, transmetuar të hënën në mbrëmje në Vizion Plus.
Erdenaj, me klarinetën e tij, ndezi skenën me një interpretim të pastër, plot shpirt. Loja e tingujve e bërë shpalljen e tij finalist thuajse të pashmangshme.
Ndërkohë “Future Steps” sollën një shpërthim total. Me një koreografi të fuqishme, të sinkronizuar dhe plot ritëm, vajzat e kthyen skenën në një laborator energjie. Lëvizja e tyre ngjalli entuziazëm, mbështetje dhe duartrokitje që nuk u shuan deri në shpalljen e tyre finaliste.
Që në hapje, dinamika ishte e ndezur. Dhjetë konkurrentë u ngjitën në skenë njëri pas tjetrit, duke sjellë performanca që mbajtën publikun para ekranit. Çdo numër mbante brenda një ngarkesë emocionesh të vërteta, ku secili solli në skenë jo vetëm talentin, por edhe historinë, sakrificën dhe atë copëzën e shpirtit që e bën artin të gjallë.
Emocione dhuruan edhe dy artistet Françeska dhe Alesia Kasa, bateristi i talentuar Michael, këngëtarja Trinda Haxhiu, akrobatet Ebi dhe Paola etj të cilët nuk mundën dot të vazhdonin më tej drejt finales së madhe.
Gara vazhdon, por nata e parë e gjysmëfinaleve tregoi qartë se konkurrimi po hyn në fazën më të fortë. Dhe pas kësaj mbrëmjeje, pritshmëritë për finalen vetëm janë rritur.
/vizionplus.tv





