Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi e prerë se Shqipëria duhet të luftojë për të zhdukur korrupsionin. Në një takim prezantimi të mbajtur këtë të enjte me politikanë, gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë të tjerë, Kim theksoi se misioni i saj lidhet me zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

 

“Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Së dyti, ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë.  Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ndonëse këto përparësi mund të duken të përmbajtura, ato janë të lidhura pashmangshmërisht. Cila është lidhja? Të tria këto kërkojnë që Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar, dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i reformës në drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur.”

 

Një apel ajo e pati edhe për klasën politike, nga e cila kërkoi që të tregojë se e aftë të marrë vendime që e çojnë vendin përpara.

 

“Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020. Iu bëj thirrje drejtuesve shqiptarë – pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo – që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit.”

 

Yuri Kim nuk la pa komentuar as uljen e të gjitha palëve në tryezën e reformës zgjedhore. Për këtë, ajo përgëzoi opozitën jashtëparlamentare që ia doli të gjejë një mënyrë që ta çojë përpara reformën zgjedhore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *