Subscribe

Kancelarja gjermane Angela Merkel nis këtë të enjte një vizitë dyditore në Athinë për t’u takuar me kryeministrin grek Aleksis Cipras, me presidentin Prokopis Pavlopulos si dhe me kreun e opozitës Kiriakos Micotakis.

 

Vizita e saj e fundit në kryeqytetin grek ka qenë në pranverën e vitit 2014, në mesin e krizës ekonomike. Por këtë here atmosfera duket krejt ndryshe. Kjo vizitë shihet si një sinjal vlerësimi nga Berlini zyrtar ndaj përpjekjeve të Greqisë pas finalizimit të programit të shpëtimit  në muajin gusht të vitit të kaluar për zbatimin e reformave ekonomike .

 

Vizita e shefes së ekzekutivit gjerman këto ditë nuk është e rastësishme. Ndërkohë që Maqedonia pret finalizimin në Parlament të marrëveshjes me Greqinë për emrin e ri Maqedonia e Veriut, kjo marrëveshje duhet të miratohet dhe në parlamentin grek. Merkel vjen këtë radhë pikërisht për të mbështetur Ciprasin  në prag të procedurës parlamentare.

 

Por qeveria greke nuk është ende e sigurt për garantimin e votave. Marrëveshja e Prespës kalon me një shumicë te thjeshtë prej 151 votash nga 300 gjithsej. Por partia Syriza e Aleksis Ciprasit ka vetëm 145 vende dhe i nevojiten të paktën 6 vota të partisë Grekët e Pavarur të Panos Kamenos. Kjo force ka shprehur qartë  kundërshtimin e emrit Maqedonia e Veriut, duke kërcënuar  se do të largohet nga qeveria nëse marrëveshja zbatohet.

 

Për vizitën e Merkelit, Athina gjendet nën masa të rrepta siguria ku më shumë se 2.000 policë janë në gatishmëri dhe shumë akse rrugore janë të mbyllura. Ndërkohë që priten protesta kundër vizitës së saj nga aktivistë të partisë së Agimit të Artë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *