Kancelarja gjermane Angela Merkel vijon takimet në Athinë, në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Greqi. Ajo u prit nga Presidenti Prokopis Pavlokupos i cili e falenderoi kancelaren për mbështetjen që i ka dhënë Greqisë për të dalë nga kriza.

 

Nga ana e saj kancelarja Merkel u shpreh se do të mbështesë Greqinë për fazën e re të zhvillimit ekonomik, e për herë të parë foli hapur, pro dëmshpërblimit ndaj Greqisë për dëmet e Luftës së Dytë Botërore.

 

“Mbaj përgjegjësi të plotë për detyrimin historik që kemi për krimet e nacionalsocialistëve në Greqi. Është çështje zemre të mbështesim Greqinë për detyrimin. Marrëdhëniet gjermano greke janë zhvilluar shumë dhe Greqia është një vend i fuqishëm anëtar i Bashkimit Europian. Gëzohemi që Greqia përfundoi programet dhe fillon një fazë të re, të cilën do ta mbështesim në nivelin ekonomik.”  

 

Pretendimi për dëmshpërblime financiare që i kërkohen Gjermanisë për krimet e kryera gjatë pushtimit të vendit nga nazistët në periudhën 1941-1944 është rikthyer në vëmendjen e Greqisë nga fillimi i krizës së borxhit vitet e fundit.

 

Sipas një raporti të autoriteteve kombëtare të Greqisë shuma e dëmshpërblimeve arrin në 162 miliardë euro.

 

Edhe kreu i shtetit grek e falenderoi Merkelin për mbështetjen.

 

“Gjermania dhe ju mbështetët Greqinë për daljen nga kriza. Ajo që bëtë ishte diçka e mirë edhe për Gjermaninë dhe theksoi rolin tuaj lider në Bashkimin Europian.”

 

Këtë të premte kancelarja Merkel do të takohet dhe me kreun e partisë opozitare Kiriakos Micotakis, me te cilin do të diskutojë për votimin në parlamentin grek të Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *