Subscribe

Pas projektit të madh në fushën e turizmit, atij të “San Pietro Resort” në Durrës, një ndër grupet më të mëdha në fushën e hotelerisë ka zgjeruar aktivitetin e tij, duke investuar edhe në kryeqytet, në projektin që njihet si “Syri i Tiranës”.

 

Në zemër të kryeqytetit do të ndërtohet një hotel me 5 yje superior nga Concord Grup në bashkëpunim me spanjollët e Melia Grup. Marrëveshja është nënshkruar në Ministrinë e Turizmit, nga përfaqësuesit e dy kompanive.

 

“Jemi krenar që po nënshkruajmë sot marrëveshjen për hotelin e dytë në Shqipëri, pas atij në Durrës që ne besojmë se do të jetë gati pas afro një viti. Sot arritëm marrëveshjen për hotelin tjetër, të cilin mendojmë se do ta hapin në vitin 2023. Ky është i pari dhe i dyti, por nuk besojmë se do të jenë të fundit. Ne kemi eksperiencë në këtë treg. Shqipëria ka një pozicion të mirë gjeografik në Europë, si dhe është një ndër vendet që ka pasur një rritje të shpejtë në këto pesë vitet e fundit. Ne po punojmë shumë fort me familjen Dulaku në Shqipëri.”

 

Për ministrin Blendi Klosi prania e një grupi si Melia në Shqipëri është dëshmi e strategjisë së qeverisë, për të tërhequr brende ndërkombëtare në fushën e turizmit.

 

“Një vit më parë Melia Grup u bë pjesë e një prej projekteve më të mëdha në fushën e turizmit siç është ai i San Pietro Resort në Gjirin e Lalzit, i cili ofron konceptin all inclusive.”

 

Tashmë me eksperiencën e këtij grupi, investimi në zemër të Tiranës do të jetë një garanci më shumë për standardin e hoteleve me 5 yje superior, standard për të cilin tregu ynë ka nevojë. Aktualisht Melia Grup operon në shumë vende të botës me 420 hotele dhe me mbi 100 mijë shtretër në pronësi.

One thought on ““Melia Group” tek “Syri i Tiranës”, marrëveshje me “Concord” për hotel me 5 yje superior

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *