Subscribe

Certifikimi i 47 deputetëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, tashmë është në pikëpyetje.

 

Verifikimi i emrave nga institucionet përgjegjëse, duke iu referuar kushteve të nenit 29 të ligjit zgjedhor, nuk i ka dhënë dritën jeshile kandidatëve që janë shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.

 

Por Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi nuk i bëri të ditur emrat.

 

VALMIR ELEZI

ZEDHENES I KQZ

“Në përgjigjen që e kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë dy ditë kohë për të vendosur nëse listat duhet të ndryshohen.

 “Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it. Kjo periudhë është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar. Pas saj, më 1 shkurt, pason tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve”.

Referuar burimeve te Telegrafit në mesin e këtyre kandidatëve është edhe Albin Kurti, kandidat i Levizjes Vetevendosje per kryeminister.

Kjo medie ka kontaktuar zyrtarë të LVV-së, të cilët kanë thënë se “nuk janë në dijeni për momentin”.

Pasiguria për kandidimin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe disa deputetë të tjerë nga radhët e kësaj partie, nisi të diskutohet qëkurse qeveria Hoti u deklarua e paligjshme me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kurti u dënua në janar të vitit 2018 për dy vepra penale, përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *