Pas kthimit të Eva Dumanit të shtunën në Shqipëri nga kampi famëkeq Al Hol, ku ajo gjendej prej të paktën 12 vitesh, Dylber Shuli 90-vjeçar, nga Pogradeci thotë se rikthimi i saj i ka dhënë shpresë për bashkimin me 5 nipërit dhe mbesat që vijojnë të mbeten në Siri.
“Mos më pyet, ajo (Eva Dumani) ishte shoqe e mbesave të mia. Kur e pashë atje që erdhi nga Turqia, e sollën dhe thërriste”dajo dajo”. Duan të vijnë, si nuk duan. Jam 90 vjeç, më vjen rëndë të qaj. Djali vdiq, iku në këmbë dhe erdhi me arkivol. Mbi 10 vite, u bënë djemkat e mbesës time nga 7 vjeç. Me ka thërritur njëherë në telefon, “o baba,”, thotë Shuli.
Edhe pse ka 10 vjet që pret, ai nuk është lodhur, jo vetëm kaq por deklaron se ka arritur të mbledhë një shumë të hollash dhe është i gatshëm të paguajë këdo që mund ta ndihmojë për të tërhequr antarët e familjes nga kampi.
“Kam mbledhur 25 milion lekë vetëm për ato. Të vijnë fëmijët t’i mbaj në krah. Gjaku im. Mundohem me shtet por nuk lëvizin. Kujt t’i thoja është mbesa ime? Prej Zotit nuk kam hequr dorë. E ajo që erdhi, erdhi me dëshirën e Zotit. Kam shpresë deri sa të vdes. Nuk vijnë dot vetëm. Qaja e atje. Qaj e në shtëpi. Më ndihmo sa duhet do paguaj. Kur doli Rama tha do i nxjerr. Këtë kam thirrje, të hapë dyert, O Zot na ndihmo”, tha i moshuari.
10 vjet më parë 5 anëtarë të kësaj familje u nisin drejt Sirisë për shkak të luftës atje, ndërsa kryefamiljari u vra në zonat e sulmeve, ashtu si familja Shuli ishin dhe shumë familje të tjera nga fshatrat e Pogradecit, një pjesë e të cilave janë kthyer e ndërsa shumë të tjerë janë vrarë në kampe.
Ndërkohë tërheqja e atyre që kanë mbetur gjallë në kampe për shtetim shqiptar vijon të mbetet mision me risk shumë të lartë.





