Dy punonjëse të Zyrës së Gjendjes Civile të Rajonit nr.3 në Berat kanë rezultuar të infektuara me Covid-19.

Punonjëset janë kolege në të njëjtën zyrë dhe rezultojnë të jenë asimptomatike dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Ato e kishin kryer tamponin në 5 tetor dhe që prej asaj dite ishin karantinuar, në pritje të përgjigjes së tamponëve që mbërritën pasditen e djeshme pozitiv për të dyja punonjëset.

E infektuar me koronavirus është konfirmuar edhe një sanitare në çerdhen e lagjes “Donika Kastrioti” në Berat. Sanitarja që ka rezultuar pozitive është karantinuar, ndërkohë që pas dezinfektimit është mbyllur për disa ditë çerdhja e kësaj lagjeje.

Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se është kryer edhe dezinfektimi i zyrave të gjendjes civile të rajonit nr.3 që ndodhen brenda ish-godinës së bashkisë Berat, të cilat janë mbyllur për disa ditë deri në zëvendësimin me punonjëse të përkohshme të kesaj zyre, ku nuk duhet të mungojë shërbimi për qytetarët.

Të njëjtat burime konfirmojnë se DSHP është në pritje të përgjigjeve të tamponëvë të marrë në dy klasa të gjimnazit Bab Dudë Karbunara, të edukatoreve e sanitareve të kopshtit “10 Korriku” dhe të sfatit të mjekëve e infermierëve në Qendrat Shëndetësore të fshatrave: Velabisht e Cukalat.

Numri i rasteve aktive në qarkun e Beratit ka arritur në 128, ndërkohë që përgjigjet e mbërritura pasditen e djeshme janë tamponet e kryer nga DSHP deri në 6 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *