Në mbyllje të afatit zyrtar të dorëzimit të kandidaturave për drejtuesit dhe anëtarët e rinj të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, interesin për tu bërë pjesë e institucionit përgjegjës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve e kanë shprehur mbi 30 persona, mes të cilëve ish drejtues të KQZ-ës, ish funksionare të lartë politikë, të drejtësisë apo nëpunës publik.

Mes kandidaturave për dy drejtuesin e ri të KQZ-së  i cili në vazhdim do të njihet si komisioneri shtetëror i zgjedhjeve janë Ilirjan Celibashi, i cili edhe më herët ka drejtuar KQZ-në gjatë periudhës 2001-2006 kur vendi qeverisej nga e majta. Për të njëjtin post konkurron edhe Ilir Rusmajli, ish ministër i drejtësisë në qeverinë “Berisha 1”.

Një tjetër emër në garën për komisionerin shtetëror është edhe Bledar Skënderi, ende sot një nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mes emrave që kanë hedhur kandidaturën për nënkomisioner ai që bie në sy është Lealba Pelingu, drejtuesja e departamentit të antikorrupsionit në Partinë Demokratike.

Mes emrave për dy komisionet atë Rregullator, dhe të Ankimimeve dhe Sanksioneve janë ish prokurori i përgjithshëm, Theodhori Sollaku, Arben Isaraj, ish deputet i Partisë Socialiste, Ledio Braho, ish këshilltar i presidentit Bujar Nishani, Petrit Çomo apo Arenc Cela keshillitar i kreut te grupit parlamentrar socialiste.

Me mbylljen e dorëzimit të kandidaturave, 12 emrat që do të përzgjidhen nga komisioni i posaçëm i përbërë nga socialistët Damian Gjiknuri, Alket Hyseni dhe Adnor Shameti, nga opozita parlamentare Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe nga partia demokratike Oerd Bylykbashi do të votohen në parlament.Ndryshe nga komisioneri dhe nën komisioneri që votohen individualisht, pesë anëtarët e secilit prej dy komisioneve atij rregullator dhe te ankimimeve votohen në bllok.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *