Në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën (15 shtator) arriti grupi i dytë prej 44 afganëve, përfshirë fëmijë, gra dhe burra. Në aeroportin e Shkupit, ata u pritën nga përfaqësuesit e Kryqi të Kuq, të cilët i dërguan në një hotel ku edhe do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe testeve PCR për COVID-19 ndërsa do tu ofrohet edhe mundësia e vaksinimit.

 

Afganët janë ish-punonjës të organizatave ndërkombëtare, që kanë punuar në Afganistan deri para marrjes së pushtetit nga talibanët pas largimit të ushtarëve amerikan.

 

Në grupin e parë në Maqedoninë e Veriut kishin ardhur 149 persona, po ashtu ish-punonjës të organizatave ndërkombëtare së bashku me familjet e tyre.

 

Maqedonia e Veriut ka thënë se do të strehojë gjithsej 750 afganë.

 

Ata në Maqedoninë e Veriut do të kenë një qëndrim të përkohshëm derisa të sigurojnë një transferim në destinacionin përfundimtar.

 

Vendimi i qeverisë për të pranuar civilët afganë kishte shkaktuar reagime të shumta, në veçanti nga disa parti opozitare maqedonase, duke i vlerësuar ata si të rrezikshëm për sigurinë e vendit.

 

Por, kryeministri Zoran Zaev, ka siguruar qytetarët, se Maqedonia e Veriut nuk rrezikohet nga civilët afgan që kanë ikur nga vendi i tyre për shkak të frikës nga hakmarrja e talibanëve. Zaev ka thënë se me vendimin për strehimin e afganëve, vendi ka dëshmuar humanitetin duke u rreshtuar pranë shteteve të tjera që po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm.

 

Më shumë se 120,000 njerëz u larguan nga aeroporti i Kabulit pasi talibanët morën kontrollin e vendit. Megjithëse transporti ajror përfundoi më 31 gusht me tërheqjen e trupave amerikane, zyrtarët talibanë kanë thënë se do të lejojnë të largohen njerëzit me dokumente udhëtimi të vlefshme.

 

Afganët që planifikojnë të rivendosen në Shtetet e Bashkuara kanë marrë ose janë në proces të marrjes së asaj që njihet si një Vizë Imigruese e Posaçme, e cila lëshohet për personat që kanë punuar për ushtrinë amerikane ose NATO-n si përkthyes ose në një kapacitet tjetër dhe për afganët që konsiderohen të kërcnuar nën regjimin taliban./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *