Subscribe

 Ish-numri 2 i qeverise Rama, Erion Braçe ishte i vetmi socialist që reagoi sot pas arrestimit të Ilir Beqajt i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Braçe solli në vëmendje se sistemi i drejtësisë duhet të zbardhë çdo aferë korruptive, por nga ana tjetër deputeti socialist solli në vëmendje ngjarje tragjike për të cilat ende nuk ka asnjë përgjegjës

“Reforma në drejtësi për këtë u bë, për të mbajt përgjegjës zyrtarët që abuzojnë me ligjin, në bazë të fakteve dhe provave për të vërtetuar një kauzë të ngritur ndaj cilitdo individi. Ende s’ka asnjë përgjegjës për 21 janarin ku janë vrarë njerëz, nuk janë vjedhur lek, s’ka përgjegjës për Gërdecin ku janë vrarë njerëz, për gjëra akoma më të rënda që kanë shënuar historinë e këtij vendi, ky është problemi,”, theksoi Braçe.

Braçe pranoi se arrestimi i ish ministrit Beqaj për korrupsion ka një kosto politike për PS.

“PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale, po e mban përgjegjësinë. Në momentin që paraqitemi para një gare elektorale, secili duhet të marrë kosto. PS është e angazhuar në një proces të thellë reformimi akoma dhe më të madh brenda saj, qeverisjes dhe legjislacionit që të adresojë korrupsionin.”, tha Erion Braçe.

Ndërkaq arrestimi i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj u shfrytëzua nga opozita edhe gjatë debatit me ministren aktuale Albana Koçiu për skandalin e zbuluar nga prokuroria në spitalin onkologjik.

“Ne jemi të detyruar të pastrojmë llumin që keni krijuar me abuzimet tuaja. Situata e onkologjikut nuk doli sot, aty ishte edhe para 30 vjetësh. Çfarë bëtë ju?  Ju çfarë bëtë se ne i shkuam deri në fund.”, tha ministrja Koçiu.

“Ne jemi llumi? Kur si pjese e vendimmarrjes se saj kanë humbur njerëzit jetën. Të njëjtën përballje kam pasur me Ilir Beqajn, Arben Ahmetaj. Ata  janë llumi,  tani ata janë  atje, ai është llumi. Ai që ishte ulur atje, ka shkuar sot përpara SPAKUT, ai është llumi”, tha deputetja Jorida Tabaku.

Në përballjen me opozitën ministrja e Shëndetësisë sqaroi se pas skandalit në spitalin onkologjik qeveria po harton ndryshimet ligjore të cilat rregullojnë marrëdhënien e mjekëve mes spitalit publik dhe klinikave private. Por për demokratët kjo është e pamjaftueshme duke kërkuar që ministrja të mbajë përgjegjësi dhe të japë dorëheqjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *