Për të garantuar furnizmin me energji elektrike pa ndërprerje gjatë sezonit turistik, në terren do të jenë më shumë grupe elektriçitësh, për të ndërhyrë menjëherë për çdo problematikë.
“Kemi ngritur grupe pune, angazhojmë një numër të konsiderueshëm punonjësish e mjetesh, 880 punonjës gjatë kësaj periudhe me gati 80 atomjete dhe me bazën e nevojshme materiale. Kemi hapur pikat tona të shërbimit 24 orë dhe ndërkohë, nëse do të jetë e nevojshme për pika të reja, do të jemi të gatshëm për ta bërë. Një masë tjetër është që nga rajonet që nuk e kanë fluksin si disa të tjera, ne marrim grupe elektriçistësh me eksperiencë të nevojshme dhe i atashojmë në këto rajone të tjera. Kemi 42 grupe që janë lëvizur në këtë formë”, u shpreh Administratori i OSSH, Blendian Dalipi.
Konsumi i energjisë elektrike gjatë sezonit turistik rritet ndjeshëm, çka shton nevojën për investime të reja.
“Energjia elektrike çdo vit rritet. Qershori i 2025, rritje 6-7%. Kjo na bën të planifikojmë më mirë investimet, bëhen për të parashikuar rritjen e vrullshme vit pas viti, kemi nisur një seri investimkesh në zonat bregdetare, por edhe në zona malore. Po ndërtojmë nënstacione të reja, linja të reja”, shtoi më tej Dalipi.
Ndërkohë zv.kryeministrja Belinda Balluku e pranishme në takim, deklaroi se sot nuk operohët më në kushtet e emergjëncës.
“Sot nuk operojmë më në kushtet e emergjencës, të gjitha proceset tona të investimit janë të mirëstudiuara, që do të akomodojnë nevojat që do të rriten në vazhdim”, tha Balluku.
Më tej zv.kryeministrja Balluku bëri edhe një ftesë për qytetarët që të bëhen pjesë e ekipit të faturuesve të OSHEE, pasi ka 60 vende vakante për këtë pozicion.





