Drejtuesi Politik i PS në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, e konsideron një marrëveshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë marrëveshjen mes Kryeministrit dhe kreut të opozitës, për futjen e kësaj të fundit në zgjedhje. Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Labinotit Fushë, Balla tha se pas shumë përpjekjeve më në fund opozita u bind për rëndësinë që ka Reforma në Drejtësi dhe Vettingu.

 

“Edhe pse u përbetuan që nuk do të jenë në zgjedhje dhe nuk do të votojnë Vettingun, ja ku jemi sot, për të garantuar se zgjedhjet do të kenë edhe PD, pavarësisht se zgjedhjet edhe pa ta do të ishin legjitime dhe me standard”, tha Balla.

 

Tashmë, theksoi ai, “do t’i japim mundësinë edhe ndonjë demokrati që është këtu që të votojë për atë parti që ai mendon, edhe pse thirrja ime është që PD ka nevojë të reformohet dhe të kuptojë se kush janë problemet dhe hallet e shqiptarëve; sepse nuk ishin hallet e shqiptarëve të gjithë ato kërkesa të PD të cilat nuk kishin bazë: kërkesa për qeveri teknike e cila ka rënë poshtë; kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve në tetor e nëntor sigurisht që ka rënë poshtë.

 

“Tashmë jemi në kushtet që çdo parti duhet të dalë përpara popullit. I shoh pak të vështira mundësitë e PD të dalë përpara popullit e të shfaqë alternativat e saj, për aq kohë sa 4 vite në opozitë nuk u mundua minimalisht të hartonte një alternativë. E vetmja alternativë e besueshme që ka sot Shqipëria është alternativa që ofron PS”, tha Balla.

 

Më tej Balla vijoi bashkëbisedimin me banorët e Labinotit Fushë duke paraqitur projektet që ka sot Bashkia e Elbasanit dhe qeveria për investime në këtë zonë. Balla tha se Labinoti Fushë ka nevojë për kanalizime, ndriçim rrugor, rehabilitimin e qendrës së njësisë administrative – të gjitha këto projekte për të cilat Bashkia dhe Qeveria do të punojnë së bashku për t’i realizuar në 4 vitet që vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *