Sekretari i sapo zgjedhur i NATOS, Mark Rutte ka mbërritur këtë të enjte në Kiev, në një vizitë të paparalajmëruar.

Kjo është vizita e parë si shef i Aleancës Veri Atlantike. Në deklaratën për shtyp me presidentin Zelensky, Rutte konfirmoi mbështetjen e plotë për Ukrainën.

“Për ta bërë të qartë për ju, për popullin e Ukrainës dhe për të gjithë ata që shikojnë, se NATO qëndron me Ukrainën. Si Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s,  është prioriteti im dhe privilegji im ta çoj përpara këtë mbështetje,  duke punuar me ju për të siguruar që Ukraina të mbizotërojë”, tha Rutte.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj vendeve perëndimore për vonesat e furnizimit me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat ai thotë se janë vendimtare për të luftuar pushtimin rus.

“Ne kemi nevojë për sasi dhe cilësi të mjaftueshme të armëve, duke përfshirë armë me rreze të gjatë, që, për mendimin tim, partnerët tanë tashmë po e zvarritin”, u shpreh Zelensky.

Armët me rreze të gjatë dhe leja për t’i përdorur thellë në territorin e Rusisë ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Ukrainës e cila argumenton se kjo do të parandalonte Moskën që të sulmojë nga distanca të largëta. /vizionplus.tv

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *