Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka prezantuar sot në Barcelonë kandidatin e Partisë së tij në zgjedhjet e 21 dhjetorit. Ai deklaroi se zgjedhjet e muajit të ardhshëm do të ndihmojnë t’i jepet fund prirjeve separatiste, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Kthejeni zërin tuaj në votë, duhet ta nxjerrim Katalonjën nga kaosi i separatizmit”-tha Rajoy.
Shefi i ekzekutivit spanjoll shpjegoi se “nuk kishte lënë rrugë pa përdorur” përpara se të hidhte hapin ekstrem, duke aktivizuar nenin 155 qe i heq autonominë rajonit.
Disa prej anëtarëve të qeverise rajonale, të shkarkuar tashmë, sot gjenden prapa hekurave.
Plot 750 mijë vetë protestuan në Barcelonë të shtunën, kundër arrestimit të tyre, ndërsa presidenti Carles Puigdemont dhe 4 ish-ministra gjenden në Belgjikë derisa kthimi i tyre në rajonin verilindor të jetë i sigurt.