Propozimi i kreministrit Edi Rama mbi legalizimin e kanabisit për arsye mjekësore shkaktoi reagime të shumta.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi në seancën e sotme parlamentare se nuk do të ketë kurrë legalizim të kanabisit për përdorim të gjerë në Shqipëri, për aq kohë sa PS do të qëndrojë në pushtet.
Ai shtoi se kanë hulumtuar prej një viti të gjitha praktikat më të mira se si kanabisi të ketë një rendiment të lartë për përdorim në mjekësi.
“Nuk ka legalizim kanabisi në Shqipëri. Sa të jemi ne nuk ka për të pasur kurrë legalizim kanabisi si përdorim i kanabisit, por prej një viti duam të hulumtojmë dhe kemi hulumtuar gjitha praktikat më të mira, se si kjo kulturë bujqësore të ketë një rendiment të lartë për përdorim në mjekësi. Në këtë kontekst le ta quajmë të mbyllur këtë dhe të gjithë ata që u shqetësuan për këtë çështje, në fund të fundit shteti i Maqedonisë së Veriut përfiton të paktën 100 milionë euro në vit, ndërsa përfitimi total shkon deri në 500 milionë euro”, tha Balla.