Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 300 raste me koronavirus brenda një dite të vetme, që nga shpërthimi i pandemisë. Numri rekord prej 317 të prekurish e ka çuar numrin e përgjithshëm në mbi 19.400 të diagnostikuar në të gjithë vendin, prej të cilëve 2.892 janë raste aktive dhe 15.750 rezultojnë të shëruar.

Në 24 orët e fundit janë shënuar 4 viktima të moshës nga 59 deri në 76 vjeç. Viktimat ishin nga Shkupi, Struga dhe dy nga Gostivari. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i atyre që nuk i mbijetuan virusit është rritur në 772 persona. Brenda kësaj periudhe 24 orëshe janë bërë 1.990 teste për COVID-19 dhe shifra e të diagnostikuarve vazhdon të jetë e lartë. Shumica e tyre janë nga Shkupi.

Autoritetet paralajmërojnë masa më të ashpra të cilat sipas tyre nuk po respektohen.

Në një shkollë të Shkupit 15 nxënës të klasës së parë janë izoluar në shtëpitë e tyre pasi një nga mësueset u idiagnostikua me koronavirus. Fëmijët nuk kanë shfaqur simptoma. Shkollat janë të hapura vetëm për nxënësit e shkollave fillore nga klasa e parë në të tretën dhe për nxënës ku shkollat kanë kushte për zhvillimin e mësimit me prani fizike, përkatësisht aty ku ka një numër të vogël nxënësish.

Shumë prindër dhe nxënës po protestojnë për shkak se procesi i mësimit në distancë nuk duket se po zhvillohet sipas parashikimeve, teksa mungojnë pajisjet e domosdoshme elektronike dhe interneti si në disa prej shkollave ashtu edhe tek shumë familje.

Nga ana tjetër, është shtuar pakënaqësia tek një pjesë e njerëzve, mes tyre pronarë restorantesh, këngëtarë dhe muzikantë, të cilët janë detyruar të heqin dorë nga aktivitetet e tyre për shkak të masave të imponuara për mbrojtjen nga COVID-19.

Të mërkurën ata protestuan para selisë së qeverisë në Shkup duke kërkuar që shteti t’i ndihmojë financiarisht./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *