Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shfrytëzoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisië për t’ju kërkuar të rinjve shqiptarë të zbatojnë masat kundër koronavirusit.

Përmes një postimi në “Facebook”, Manastirliu kërkoi nga të rinjtë që të mos besojnë deklaratat e gënjeshtërta në media.

“Ju lutem, zbatojini masat e thjeshta, për të shmangur infektimin nga Covid-19. Bëhuni ju mbrojtësit e vetes, të prindërve, të të afërmve, të më të dobtëve. Pak më shumë kujdes sot, shmang pasoja që nesër mund të rezultojnë fatale. Sa herë të dëgjoni deklarata të gënjeshtërta, të atyre që pandeminë e shohin jo si rrezik nga i cili duhet të mbrojnë njerëzit, por si shansin që duhet rrokur në ajër për të çoroditur dynjanë me sulme të paprincipta, ndaluni dhe dëgjoni pak edhe thirrjet e ekspertëve të shëndetit, mjekëve, që dinë çfarë thonë dhe çfarë bëjnë dhe që, e kanë treguar me vepra, se i shërbejnë me përkushtim vetëm interesit tuaj.”

Ajo u lut që të hiqet dorë nga festat e mbipopulluara, të ndryshohet stili i jetesës me qëllim që të mbrohet jeta e prindërve dhe gjyshërve të tyre.


“A nuk ia vlen që edhe për ca kohë, të përshtatemi të gjithë bashkë me një normaliteti të ri, ku kryefjala është KUJDESI, HIGJENA, DISTANCIMI? E kuptoj indiferencën e moshës, ndaj thirrjeve për një virus që nuk shihet me sy. Por kjo nuk e pengon që ai, virusi ta shndërrojë trupin tuaj në bartës, në rrugëtimin e vet drejt trupit të prindërve dhe të afërmve tuaj. Të cilët, ndryshe nga ju, për shkak të moshës dhe imunitetit, mbase nuk do të ishin në gjendje ta përballonin sëmundjen. Ju lutem edhe si familjare, si nënë dhe si vajzë prindërish të moshuar: Bëni një “sakrificë” të vogël sot. Ua keni borxh prindërve dhe të afërmve! Të gjithë po bëjmë maksimumin që mundemi, me kapacitetet që kemi në dispozicion dhe që nuk janë të pafundme, për të përballuar gjendjen e pandemisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *