Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka prezantuar planin e masave për rihapjen e vendit përmes lehtësimit të masave. Duke filluar nga java e ardhshme, fasha orare e lëvizjes për qytetarët do të zgjerohet me 2 orë e 30 minuta. Ndërsa do të hapen edhe një seri biznesesh për të lehtësuar ekonomitë familjare.

Hapja do të realizohet gradualisht duke marrë një minimum 2-javor, nga njëra fazë tek tjetra.

“Nëse treguesit do të jenë të qëndrueshëm, nga java e ardhshme, do të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, që nga tregtimi i veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobiljeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike, dyqaneve të luleve etj, për të lehtësuar ekonomitë familjare. Do të lejojmë transportin taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi.”

Po ashtu, paralajmëroi se do të ketë rikthim të masave nëse vlerësohet e nevojshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Plani i lehtësimit gradual të masave bazohet në kriteret epidemiologjike, kapacitetet spitalore dhe burimet e nevojshme për kontrollin dhe monitorimin e situatës.

“Vlerësimi i çdo hapi të ndërmarrë do të analizohet çdo dy javë. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm të situatës epidemike, plani parashikon edhe rikthim të masave të ashpra. Në rast se situata do të vijojë të jetë e qëndrueshme pas analizave të përdyjavëshme, pra nëse nuk do të kemi nevojë për frenat e emergjencës që janë gjithmonë aty, atëherë, në fillim të muajit Maj do të zgjerojmë lëvizjen e makinave brenda një bashkie, me fasha orare edhe për ata që duan të shkojnë për pazar si dhe do të lehtësojmë më tej lëvizjen e këmbësorëve brenda qyteteve”.

Nga ana tjetër, Manastirliu ritheksoi se bizneset që do të hapen kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme.

“Bizneset kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve, sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar ne nivelet e rrezikut të bizneseve. Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë. Bizneset do të penalizohen nëse nuk do ti kenë këto dokumente bazë dhe nëse nuk zbatojnë protokollet përkatëse”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *