Nis nga Fieri aksioni kombëtar i vaksinimit anticovid “derë më derë”, për të nxitur qytetarët për t’u vaksinuar. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi nga Fieri se nis sot një fazë e re e vaksinimit anticovid, duke ftuar drejtuesit e bashkive dhe njësive administrative në të gjithë vendin, të bëhen pjesë e aksionit të vaksinimit në çdo komunitet.

 

Në një takim me drejtues vendorë në bashkinë Fier, u ka kërkuar angazhimin e tyre për të ftuar qytetarët për t’u vaksinuar, në atë që ministrja e ka quajtur “aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës”.

 

“Duke filluar nga Fieri sot, e duke mos ndalur çdo ditë, me ekipin e shëndetësisë do të jemi në krye të këtij aksioni, por në krahun tonë do të jenë të gjithë kryetarët e bashkive, me të gjithë drejtuesit e njësive administrative, me të gjithë kryepleqtë, me të gjithë strukturat e angazhuara të shërbimeve sociale në bashki, me të gjithë shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat po njësoj duhet të jenë të përfshira në këtë aksion kombëtar për vaksinimin, një aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës.”

 

Duke kërkuar kontributin e të gjitha bashkive, Manastirliu tha se janë të përgatitur për të rritur nurmin e vaksinatorëve. Ajo shtoi se do të punohet që çdo qytetar të vaksinohet duke u shkruar në banesë, ndërkohë që bëri me dije se nga e hëna do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.

 

“Për studentët, gjithë java që vjen do të jetë një javë aksioni për vaksinimin e tyre, për vaksinimin e të rinjve”, tha Manastirliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *