Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi nga Qendra Shëndetësore nr. 5 në Tiranë se 1600 mjekë të familjes në të gjithë vendin do të bashkohen për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19.

 

Manastirliu pohoi se mjekët e familjes do të ndjekin të gjithë pacientët e konfirmuar me koronavirus që janë në kushte shtëpie me simptoma të lehta apo të moderuara.

 

“Kjo është një luftë dhe të gjithë batalionet duhet të jenë në të njejtën vijë të luftës. Ashtu siç janë në vijën e zjarrit mjekët e spitalit Infektiv, mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi”, dhe gjithë sistemi spitalor është në luftë me këtë armik të padukshëm, e njëjta gjë është dhe për mjekët e familjes. Janë 1600 mjekë të familjes të cilët kanë fokusuar forcat e tyre, jo vetëm përsa i përket konsultave online dhe trajtimeve të pacientëve me sëmundje kronike, por gjithashtu dhe asistencës që do t’I japin pacientëve me COVID19 të cilët kanë simptoma të lehta apo të moderuara dhe trajtohen në kushte shtëpie. Ky është një rol që mjeku i familjes ka filluar ta marrë dhe do ta ketë dhe në vijim.”

 

Ministrja nënvizoi se në të gjithë vendin mjekët e familjes kanë kryer më shumë se 40 mijë konsulta online dhe se 28 mijë pensionistë kanë përfituar barnat me rimbursim

 

“Janë më shumë se 40 mijë shërbime nëpërmjet telemjekësisë që janë ofruar për të moshuarit, për të sëmurët kronikë dhe për ata që kanë dashur të konsultohen me mjekun e familjes për një problematikë shëndetësore apo për një tjetër. Dhe telekonsultat janë duke u kryer në të gjitha qendrat shëndetësore dhe janë duke ndihmuar me mijëra qytetarë, sidomos përsa i përket paketës së barnave të rimbursueshme ku më shumë se 28 mijë paketa të barnave të rimbursueshme kanë vajtur në shtëpitë e pensionistëve mbi 65 vjeç.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *