Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu reagoi në “Facebook” pas akuzave të hedhura nga demokrati Bardh Spahia dhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili po në rrjetet sociale për menaxhimin e pandemisë.

Sipas Manastirliut, kjo temë po përdoret nga opozitarët për të bërë politikë dhe jo për të kontribuuar në përmirësimin e situatës.

Ministrja renditi disa pika, sipas së cilës tregojnë se gjithçka e bërë nga qeveria deri tani ka dhënë efekte pozitive pasi ka qenë e konsultuar me ekspertët.

“Për të gjithë “mjekët” e politikës dhe “politikanët” e mjekësisë, që shëndetin e qytetarëve e shohin veç si një armë për ta përdorur në sulmin politik të ditës: Ne vazhdojmë t’u besojmë dhe të ndjekim strategjinë e ekspertëve më të mirë të shëndetit publik në vend dhe punojmë çdo ditë si ditën e parë, për të forcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor, në përgjigje të epidemisë Sars-Cov2. Sot, numri i qytetarëve të shtruar në spital është rreth 20% e kapacitetit të shtretërve të vëna në dispozicion. Po bëhet një punë heroike nga mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të luftës në spitalin Infektiv në QSUT. 90 përqind e rasteve të dyshuara izolohen dhe konfirmohen brenda 48 orëve. Ekipet e reagimit të shpejtë të shëndetit publik janë pa pushim në terren dhe janë funksionalë në të gjitha nivelet. Strategjia jonë e izolimit, në një kohë kur virusi ishte në kulmin e fuqisë së vet goditëse dhe kur ekipet tona të shëndetit publik kishin shumë pikëpyetje dhe të panjohura mbi të, rezultoi një strategji E SUKSESSHME.”

Duke theksuar se kritikat konstruktive janë të mirëpritura nga çdokush, Ogerta Manastirliu shtoi se akuzat dhe sajesat nuk mund t’i pranojë.

Ajo theksoi se po njolloset padrejtësisht puna e mijëra ekspertëve të shëndetit dhe personeleve mjekësore.

Bardh Spahia bëri me përgjegjësi Ministrinë e Shëndetësisë për infektimin e stafeve spitalore dhe kërkoi që të mos kursehen tamponët, por të këputet zinxhiri i transmetimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *