Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu reagoi pas planit me pesë pika që propozoi lideri i opozitës, Lulzim Basha për rimëkëmbjen ekonomike. Me anë të një postimi në “Facebook”, Manastirliu qartësoi se numri i testimeve është dyfishuar, se mjetet mbrojtëse për stafet mjekësore nuk mungojnë dhe se bonusi që Basha propozoi për ta është një realitet prej shtatë muajsh.

 

“🟢 Prej muajit korrik, numri i testimeve është dyfishuar dhe do të vijojë të rritet bazuar në strategjinë tonë për kufizimin e përhapjes së virusit, të hartuar nga ekspertët e Komitetit Teknik në zbatim të rekomandimeve të OBSH. Mbi këtë Strategji bazuar në nevojat reale ekipet e shëndetësisë në  terren, testojnë, gjurmojnë dhe izolojnë çdo rast të dyshuar, duke berë të mundur që mbi 80% e rasteve të izolohen brenda 48 orëve.

🟢 Ka një arsye përse Shqipëria ka sot përqindjen më të ulët të mjekëve dhe infermierëve, që janë infektuar, për shkak të Covid19. Nëse do të pyesë stafet mjekësore që shërbimin ua ofrojnë qytetarëve tek koka e krevatit, dhe jo nëpërmjet dritares së Facebook-ut, me siguri do të mësojë se Shqipëria është ndër të paktët vende të rajonit ku mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore nuk kanë munguar për as edhe një sekondë, që kur u shfaqën rastet e para të infeksionit në Shqipëri.

🟢 Bonusi prej 1000 Euro për mjekët, infermierët, epidemiologët dhe 500 Euro për sanitarët, shoferët e autoambulancave, është realitet prej shtatë muajsh dhe do të zgjasë deri ditën e fundit të kësaj pandemie.”

 

 

Ministrja nuk kurseu as ironinë për Bashën kur i kërkoi të mos i ngatërrojë shifrat e pandemisë.

 

“🟢 Shifrat zyrtare të pandemisë nuk mund të ngatërrohen me të njëjtën lehtësi, si veprimet e thjeshta aritmetikore. Grafikët që ndihmojnë për interpretimin e këtyre shifrave, duhet të lexohen ashtu siç janë dhe jo të përmbysur. Shifrat reale, ato që mjekët e strukturave drejtuese të partisë së Z. Basha nuk ia thonë, e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë – aspak më të keq – se sa shumë vende të rajonit, në këtë luftë që ende nuk ka përfunduar dhe bilanci i së cilës, bëhet vetëm në fund.”

 

Sa i takon rritjes së pagës së mjekëve e infermierëve, Ogerta Manastirliu deklaroi se kjo po bëhet realitet dhe ndryshon nga premtimet si ato të tramvajës në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *