Një nga problemet më të mprehta për investitorët në Shqipëri është paqartësia e titujve të pronësisë.
Ky fakt ka mbajtur pezull investimet në shumë zona, kryesisht në ato malore.
Është kjo arsyeja pse qeveria hartoi nismën ligjore “paketa e maleve”.
Enekelejd Musabelliu, zv.minsitër i Ekonomisë, sqaron se cila është rruga që investitori të marrë titullin e pronësisë.
“Kjo është një nismë për cilindo që ka një pronë në përdorim. Një pronë që është shtetërore sot, por e përdor dikush i cili më herët, të parët e tij e kanë patur dhe kanë një dokument mbi këtë pronë. Ne duam që këtë pronë t’ia ofrojmë brezit të sotëm. Cilido prej tyre nëse ka mundësi e zhvillon vetë ose bën një marrëveshje me një kompani zhvilluese. Pasi projekti të marrë lejen dhe të certifikohet nga autoritetet, individi do të aplikojë që tokën ta përfitojë kundrejt tarifës 1 euro. Vetëm kur të përfundojë investimi ai ka të drejtë të aplikojë për të marrë certifikatën e pronësisë”, sqaroi Musabelliu në Vizion Plus.
500 aplikimet e para përjashtohen nga katër taksa, që janë tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi vlerën e shtuar, taksa e pasurisë si dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Përjashtimet janë të vlefshme për 10 vite.
“Nëpërmjet kësaj nisme dhe me këto përjashtime fiskale ne duam që ajo që po ndodh në zonat bregdetare, me investime serioze dhe me standarde, të realizohet dhe në zonat malore. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm mbi rritjen e ndjeshme të turizmit në të gjithë vendin, ndaj duam që ketë fluks në rritje, ta përputhim me ofertë turistike me standard”, tha Musabelliu.
“Paketa e maleve” u miratua nga qeveria. Pritet që ajo të marrë vulën edhe nga parlamenti. Sipas të dhënave mendohet se brenda 6-mujorit të parë të këtij viti të nisin aplikimet./vizionplus.tv