Kryetari i PD, Lulzim Basha i quajti inceneratorët vjedhjen e shekullit. Ai hodhi akuza ndaj qeverisë se ka kaluar miliona euro të qytetarëve drejt një kompanie guackë që ka fituar tenderin.

 

“Edi Rama vazhdon aferat korruptive. Vjedhja e shekullit është ajo e inceneratorëve. Ne kërkojmë transparencë për këtë megakorrupsion të Edi Ramës. Ai ka dhënë dhjetëra milionë euro të parave të qytetarëve shqiptarë një personi që ka një kompani guackë. Vetëm në një rast, atë të Tiranës, kompania është regjistruar një ditë para se të lidhte kontratën. Vetëm një ditë përpara. Nuk ekzistonte dhe është regjistruar. Duam të tregojmë se as në Fier, as në Tiranë nuk ekziston incinerator. 75 milionë euro të parave të shqiptarëve janë paguar deri më sot, pa garë, pa transparencë.”

 

Lulzim Basha shtoi se brenda një dite, qeveria është mbledhur dhe ka marrë 17 vendime në favor të kompanisë që fitoi tenderin për inceneratorët.

 

“Cila kompani në botë mobilizohet me 17 vendime në ditë për të dhënë me një dorë 14 milionë euro një kompanie të tillë? Sa herë është mbledhur qeveria për t’u dhënë shqiptarëve lekë për bukën e gojës? A ka nevojë ta komentoj unë, a ka njeri që nuk e kupton këtë? A ka nevojë të kesh universitet apo shkollë të mesme për ta kuptuar se çfarë po ndodh? Çfarë e detyron Edi Ramën ta bëjë këtë? Klodian/Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto nuk kanë asnjë ditë përvojë në përpunimin e mbetjeve. Pse u janë dhënë dhjetra milionë euro kompanive pa asnjë eksperiencë në treg?”

 

Ditët e fundit, inceneratorët kanë qenë në qendër të vëmendjes së PD dhe nuk kanë munguar denoncimet. Ata kanë kërcënuar se për këtë aferë, qeveritarët do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *