Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama i drejtoi një thirrje të drejtpërdrejt mazhorancës që të reflektojë për paketën antishpifje.

 

Duke marrë shkas nga apeli i zëdhënëses së Komisionit Evropian të martën, Rama kërkoi që dekreti i presidentit Ilir Meta të mos rrëzohet, por të shfrytëzohet për ndryshime.

 

“Kuvendi ka një shans, të pranojë vërejtjet e Presidentit dhe ta shpëtojë Shqipërinë nga barra e turpit të dhunimit të lirisë së shprehjes. Në fakt, përkeqësimi progresiv i lirisë së medias dhe kufizimi i lirisë së shprehjes është bërë një shqetësim dhe problem shumë i madh i shoqërisë shqiptare, aq sa jo vetëm në renditjen që bëjnë organizmat ndërkombëtarë, Shqipëria ka humbur shumë vende, por çfarë është më e rënda, realiteti i sotëm është shumë më keq, është shumë më i rëndë nga çfarë ka qenë ky realitet edhe në fillimet e medias së lirë dhe të shtypit të lirë në Shqipëri.”

 

Nënkryetari i LSI ju bëri thirrje socialistëve në deklaratën e tij për shtyp që për herë të parë të mendojnë për imazhin e vendit dhe hapjen e negociatave.

 

“Ky palo Kuvend ka të paktën një mundësi që ta shpëtojë imazhin e vendit, t’ia heq këtë problem që po i krijon aventura e qeverisë dhe të reflektojë edhe në përputhje të këtij mesazhi që vjen nga Komisioni Europian për të realizuar ndryshimet që propozohen me aktin ligjor të kthimit të paketës antishpifje në Kuvend.”

 

Pavarësisht kundërshtive dhe protestës së gazetarëve, mazhoranca e miratoi paketën antishpifje në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar.

 

Mirëpo presidenti Ilir Meta në datën 12 janar e ktheu ligjin mbrapsht, duke i kërkuar Kuvendit që të reflektojë. Nga ana tjetër, qeveria ka paralajmëruar se dekreti i Metës do të rrëzohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *