Ish-deputeti i LSI, Luan Rama shprehet se ministrja e Arsimit, Besa Shahini u mundua që të njollosë protestën e maturantëve duke e konsideruar të politizuar.

Rama shkruan se nxënësit nuk duhet të gjykohen politikisht apo prej partisë që simpatizojnë, por vetëm prej punës që bëjnë dhe rezultateve që arrijnë.

“TURI, BESA DHE MATURANTËT PËRBALLË TYRE … Nuk më ka befasuar aspak qëndrimi i pamend i zonjës ministreshë të arsimit, e cila, pa asnjë drojë e krejt në kundërshti etike, më sëpaku me detyrën që duhet të kryejë, e quajti të politizuar protestën e maturantëve kundër mënyrës së organizimit të provimeve të maturës shtetërore dhe përmbajtjes së testeve, teksa u rrek ta bënte pis atë protestë me gjoja “gjetjen” e vet, se në të paska parë që “kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare…”. Ajo është ministre e arsimit dhe si e tillë për të nuk duhet të ketë “ata” dhe “ne”, nuk duhet të ketë “të atyre” dhe “tanët”, nuk duhet të ketë të “partive të opozitës” dhe të “partisë time”, por nxënës, maturantë, studentë, mësues dhe pedagogë që nuk duhet dhe nuk mundet të gjykohen politikisht apo prej partisë që votojnë apo simpatizojnë, por vetëm prej punës që bëjnë dhe rezultateve që arrijnë. Në Shqipëri ligji nuk i ndalon as maturantët dhe as studentët që të zgjedhin të jenë pjesë e strukturave të partive politike, pra as e strukturave të partive të opozitës, ashtu sikundër, ligji nuk i ndalon studentët dhe madje as prindërit e tyre të protestojnë, qoftë edhe përkrah maturantëve, ani pse mund të mos jenë maturantë.”

Ish-deputeti tha se ministrja më shumë se sa të përpiqej të gjente se cilët janë studentët e strukturave partiake të opozitës, do të bënte mirë të shkonte dhe t’i takonte maturantët e të bisedonte me ta.

“Për rrjedhojë, paragjykimi e më keq akoma, stigmatizimi e përçmimi prej këtij fakti, është tregues i një deformimi kulturor, që i veshur me arrogancë si konstante e sjelljes publike të shumë prej ministrave, e bën më të mjerë pozitën e një funksionari shtetëror, që detyrë të parë ka të shërbejë dhe jo të etiketojë. Tendenca për të përcaktuar vijësjelljen e të tjerëve dhe për të ndarë sinoret se kush duhet të marrë pjesë në debatin për shkollën, për gjuhën a për letërsinë shqipe dhe kush jo, siç kumtoi zonja ministreshë, është një tjetër tregues i të njejtit deformim kulturor, që nuk ka shumë lidhje me shkollën që mund të kesh kryer e as mund të mbulohet me cilësinë e diplomës që mund të kesh marrë.

Ai theksoi se Shahini zgjodhi të identifikohej me personazhin e testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, Turin, për të cilin tha se u bë emri simbol i injorancës.

“Mirëpo, përkundër maturantëve dhe shqetësimit të tyre të drejtë, zonja ministreshë e arsimit zgjodhi të mbrojë Turin e testit dhe të mbajë anën e tij. Është zgjedhje e saj, edhe pse për ndjeshmëri njerëzore, por edhe për përgjegjshmëri e seriozitet të detyrës që kryen, do të duhej të paktën të mos bëhej palë. Mirëpo ajo shkretane nuk e ka kuptuar që problemi dhe shqetësimi që ka nxjerrë maturantët në protestë nuk është vetëm problem i tyre.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *