Duke iu referuar raportit ndërkombëtar DASH, ish-deputeti i LSI, Luan Rama shprehet se qeveria e Shqipërisë nuk plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore.

Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se DASH e evidenton këtë si një problem të madh, të rëndë dhe si një dështim të qeverisë e cila nuk ia ka dalë të plotësojë as standardet më minimale.

“Më konkretisht dua të fokusohem te dy raportet më të fundit. Te raporti i DASH, i cili i bërë publik pak ditë më parë, evidenton për fat të keq faktin që, citoj siç thotë raporti, qeveria e Shqipërisë nuk plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore. Më shumë se sa konstatim, ky është një denoncim i rëndë dhe dëshmi e qartë se edhe në një fushë ku arritjet e qeverisë shqiptare kanë qenë të konsoliduara dhe të njohura botërisht, siç është ajo e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, falë papërgjegjshmërisë, paaftësisë në rastin më të mirë dhe të bashkëveprimit me struktura okulte të trafikimit të qenieve njerëzore, strukturat ligjzbatuese të vendit ja kanë dalë ta kthejnë Shqipërinë në realitetin e 18 viteve më pas. Pra në realitetin e viteve 2000-2002, kur edhe në atë kohë qeveria shqiptare kishte probleme dhe dështonte në eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore derisa shkuam në operacionin “Puna” i cili e bllokoi dhe i dha fund njëherë e mirë në atë kohë trafikimit të qenieve njerëzore. Sot për fat të keq raporti i DASH e evidenton këtë si një problem të madh, të rëndë dhe si një dështim të qeverisë e cila nuk ia ka dalë të plotësojë as standardet më minimale e jo më pastaj të përmbushë përgjegjësitë dhe pritshmëritë e një qeverie serioze të një vendi anëtar të NATO-s.”

Po ashtu, ai shkruan se FMN pohon që Shqipërisë i mungon një sistem solid, i konsoliduar, i besueshëm dhe efektiv në parandalimin e mundësive të pastrimit të parave dhe korrupsionit.

“Ndërkaq në nota shumë të rënda kritike ndaj qeverisë dhe qeverisjes është gjithashtu edhe raporti më i fundit i para disa ditëve i fondit monetar ndërkombëtar, i cili pasi thekson se viti 2020 do të jetë viti i një tkurrjeje të ndjeshme ekonomike shprehet hapur kundër aministisë fiskale e cila do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore, siç thotë raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërkaq, Shqipërisë sot, gjithnjë sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i mungon një sistem solid dhe i konsoliduar, i besueshëm dhe efektiv në parandalimin e mundësive të pastrimit të parave dhe korrupsionit. Angazhimi, apo më saktë artikulimi i qëndrimit të qeverisë për amnistinë fiskale, politikat e dyshimta dhe jo transparente të partneritetit publik privat, koncesionet korruptive me kosto disa herë më të lartë sesa kostoja reale dhe skema e projektuar e amnistisë fiskale nuk do të bëjnë gjë tjetër, përveç se do të rëndojnë gjithnjë e më shumë realitetin ekonomik në vend, do të cenojnë gjithnjë e më shumë standardin dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, është detyrë e opozitës që të ofrojë një platform besimi ndaj qytetarëve, në mënyrë që t’i bëjë ata të vetëdijshëm që rruga e së ardhmes europiane të Shqipërisë, fillon me largimin nga pushteti të atyre që kanë “punuar sistematikisht gjatë gjithë kësaj periudhe, kundër interesave europiane të Shqipërisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *