Ish deputeti i LSI-së, Petrit Vasili shprehet se qeveria duhet të tërhiqet nga propozimi për rizgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore edhe me 2 muaj të tjerë.

Sipas tij, zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk ka asnjë bazë reale dhe kushtetues, pasi sipas tij, ka bashki të tëra të vendit që nuk shënojnë asnjë rast të shfaqjes së të infektuarve me koronavirus.

“Kjo do të thotë se nuk ka asnjë arsye në kuptimin parandalues por as në kuptimin e diagnostikimit dhe administrimit të realitetit që atje të ketë kufizime në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Nesër menjëherë pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet që qeveria shqiptare të rikthejë menjëherë në status të plotë Shqipërinë si anëtare e Këshillit të Europës dhe siç urdhëron neni 5 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, do të duhet që qeveria shqiptare të informojë me shkrim menjëherë sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe rikthimin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të kufizuara dhe të cënuara për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.”

Për Luan Ramën, nuk duhet lejuar që Shqipëria të ecë më tej edhe 2 muaj të tjera në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Ai shtoi se në këtë mënyrë vazhdon manipulimi, babëzia dhe vjedhja e dokumentuar në një mori procedurash skandaloze.

“Pavarësisht gjendjes së fatkeqësisë natyrore, masat e aplikuara nga qeveria janë në tejkalim  të këtij statusi ligjor pasi ato kanë qenë masat e gjendjes së jashtëzakonshme. Jemi para dhunimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës. Kuvendi të mos e futë veten edhe në një mëkat tjetër të shkeljes së Kushtetutës dhe të talljes me interesat e qytetarëve dhe Republikës së Shqipërisë që nga nesër duhet të kthehet me statusin e plotë si anëtare e Këshillit të Europës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *