Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cilësoi si të koordinuara sulmet e protestuesve të opozitës ndaj institucioneve.

 

Në një deklaratë për mediat, Lleshaj tha se me dhjetra punonjës policie përfunduan në spital për shkak të plagëve të marra si pasojë e sulmeve që organizuan, sipas tij, militantët politikë të opozitës.

 

“Tirana përjetoi mbrëmë një mori sulmesh të koordinuara kundër institucioneve kushtetuese dhe Policisë së Shtetit. Për orë të tëra, Kryeministria, Kryesia dhe Kuvendi i Shqipërisë si dhe forcat e Policisë së Shtetit të ngarkuara me ruajtjen e tyre, u vunë nën goditjet e organizuara të grupeve të militantëve, të cilët përdorën masivisht bomba molotov, kapsolla dhe mjete të tjera të ndaluara piroteknike. Gjatë përpjekjeve për të djegur institucionet, flakët dhe goditjet, rrezikuan seriozisht jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit, por edhe atë të pjesëmarrësve në protesta.  Me dhjetëra punonjës policie përfunduan në spital për shkak të plagëve të marra. Verbëria e sulmeve nuk kurseu as qytetarë të tjerë, të pa përfshirë në ngjarje.”

 

Lleshaj tha se sulmet u përballuan me sukses nga ana e efektivëve të cilët, sipas tij, u vunë në shënjestër të sulmeve të egra të militantëve.

 

“Sulmet e djeshme u përballuan falë përkushtimit, durimit heroik, qetësisë dhe profesionalizmit të panjohur më parë të Policisë së Shtetit. Ata burra e gra, djem e vajza që u vunë dje në shënjestër të sulmeve të egra meritojnë vlerësimin, respektin dhe mirënjohjen e çdo shqiptari. Për orë të tëra, ata përballuan me qindra bomba molotov, me mijëra mjete të tjera të ndaluara piroteknike, mjete tymuese, gurë e sende të tjera të forta. Do të kishte qenë në nderin e atij grupimi, që pretendon se është politik, madje edhe demokratik apo europian, që ta ndalte dorën e dhunës ndaj djemve dhe vajzave të këtij vendi, të cilët thjesht kryejnë me përkushtim dhe sakrificë një detyrim ligjor. Sigurisht, që do të kishte qenë mirë, që edhe ata punonjës policie, që u angazhuan në ndalimin e njërit për organizatorëve të sulmeve, të kishin bërë ndryshe diçka.  Mirë do të ishte që, siç duruan në mënyrë stoike për orë të tëra nën zjarr, të kishin menaxhuar ndryshe edhe pak sekonda, vetëm pak sekonda, gjatë ndalimit të personit në fjalë, ndonëse në kushtet e kundërshtimit. Por episodi i pak sekondave nuk mund të mbulojë apo justifikojë histerinë e zjarrit real, por edhe verbal që u derdh mbi institucionet dhe mbi vetë Policinë.”

 

Duke e cilësuar si destabilizim protestën e opozitës, Lleshaj u bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë dhe të distancohen nga dhuna kundër institucioneve.

 

“E konsideroj me rëndësi t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, opinionit publik, medias dhe gjithë shoqërisë, për reflektim të thellë ndaj përpjekjeve për destabilizim dhe për distancim të qartë nga dhuna kundër institucioneve kushtetuese, rendit kushtetues dhe forcave të rendit. Fakti që ideatorët, planëzuesit, organizuesit dhe drejtuesit e sulmeve janë të njëjtët persona apo grupime, që kanë prodhuar për këtë vend tragjedi të rënda si 1997-ta, 1998-ta, apo 2011-ta meriton vëmendje të thellë publike. Drejtuesit e djeshëm të sulmeve me molotov, drejtonin sulmet me armë zjarri kundër protestuesve në të njëjtin vend, në vitin 2011. Ata që mbronin apo justifikonin me qetësi deri kriminale vrasjen e 4 protestuesve, plagosjen me armë zjarri të dhjetëra të tjerëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve nga dhuna fizike e Policisë në 2011-ën, i sot lejojnë vetes të drejtën që sot të japin leksione sjelljeje apo demokracie. Distancimi nga dhuna, nga ideatorët apo ekzekutuesit e saj është shërbimi më i mirë që ne i bëjmë të ardhmes së vendit tonë.”

 

Lleshaj më tej shprehu mbështetje për punën e policisë ndërsa u kërkoi që organet kompetente ligjore të marrin masa dhe të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që organizuan sulmet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *