Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë konferencës ndërkombëtare e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Europës Juglindore, është shprehur se rruga e vetme për të garantuar sigurinë në rajon nga krimi transnacional, është forcimi i bashkëpunimit me fqinjët.

 

Konferenca u organizua nga DSIK dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal RÇ dhe në të morën pjesë përfaqësues nga Autoritetet e Sigurimit Kombëtar të Greqisë, Sllovenisë, Kosovës, Malit të Zu, Moldavisë, Bullgarisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

 

Veç ministrit Lleshaj, në konferencë ishte ftuar edhe kreu i Zyrës së Sigurisë së NATO-s si dhe përfaqësues nga agjencitë e sigurisë në vend e të huaja. Ndër të tjera ministri ka folur edhe për sfidat e rajonit, ku ka vlerësuar mundësinë për të shkëmbyer opinione në kuadër të bashkëpunimit rajonal, integrimit europian, dhe perspektivës së sigurisë.

 

“Falë forcimit të integrimit rajonal dhe procesit të integrimit europian, ne po komunikojmë, vizitojmë dhe tregtojmë përherë e më shumë me njëri-tjetrin. Vetëm në 10 vitet e fundit, numri i qytetarëve që kalojnë kufijtë tanë është rritur me rreth 160 %. Duke e pranuar se kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është diçka pozitive, fenomeni shoqërohet gjithashtu me sfida të mëdha për sigurinë.Të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë tona, kemi rritur përpjekjet për të përmirësuar kontrollet në kufi dhe për të fuqizuar luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Shqipëria është e para që nënshkroi me BE një marrëveshje statutore për Kufijtë Europianë dhe Mbrojtjen Bregdetare në Tetor 2018 dhe gjithashtu ka bërë disa përpjekje bilaterale për të ulur numrin e azilkërkuesve në Europën Perëndimore. Bashkëpunimi i ngushtë i FRONTEX me Shqipërinë ka dhënë tashmë efekte të jashtëzakonshme në luftën kundër migracionit të paligjshëm”.

 

Duke u përqendruar në rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për çështje të sigurisë, Lleshaj tha se “në situatën aktuale, ku kërcënime të tilla si krimi i organizuar, terrorizmi dhe radikalizimi nuk njohin kufij, kemi nevojë më shumë se kurrë për njëri-tjetrin.

 

Në këtë botë gjithmonë e më të ndërlidhur, siguria jonë varet shumë nga politika efektive dhe vullneti i fqinjëve dhe partnerëve për të bashkëpunuar.  Të investosh në përforcimin e partneritetit është e vetmja rrugë për të përballuar kërcënimet transnacionale.  Shqipëria ka dëshmuar se është një partnere dhe aleate e besueshme e NATO-s dhe BE-së, njëherazi, në adresimin e sfidave të sigurisë brenda kufijve tanë dhe më gjerë. Përmes angazhimit tonë në rajon, kemi qenë në pararojë të shumë nismave rajonale”.

 

Konferenca u fokusua në sfidat e sigurisë që përballet rajoni, në rëndësinë e sigurisë së rajonit si një e tërë e arkitekturës së sigurisë europiane dhe më gjerë, në nevojën e shkëmbimit të informacioneve të klasifikuara mes vendeve të rajonit, bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë kibernetike, etj..

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *